Lajme

Maqedonia e Veriut: Zaev konfirmon gatishmërinë për strehimin e refugjatëve afganë


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se qeveria e tij është e gatshme të pranoj refugjatët afgan.

Ai  ka thënë se i kishte informuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) se autoritetet e vendit të tij ishin në dispozicion për një gjë të tillë.

“Afganistani po përballet me një katastrofë të mundshme humanitare dhe kjo është arsyeja pse ne, si Qeveri, i kemi informuar partnerët tanë strategjikë Shtetet e Bashkuara se jemi në dispozicion për të ndihmuar në përputhje me aftësitë dhe nevojat tona”.

“Për të shpëtuar jetën e popullatës lokale, ne informuam se jemi gati të marrim përsipër dhe të pranojmë popullatën civile të Afganistanit që ka punuar për paqen në atë vend gjatë 20 viteve të fundit, ishte mbështetje lokale për forcat aleate të NATO-s, përfshirë ushtria jonë dhe pranimi i aktivistëve nga organizatat humanitare demokratike dhe organizatat e të drejtave të njeriut në Afganistan”, ka deklaruar Zaev për “TV21”.

Gjithashtu Zaev ka thënë se për atë qëllim ata do të siguronin akomodim, dhe kostot gjatë qëndrimit të refugjatëve.

“Ne jemi një vend solidariteti, njerëzit tanë dhe shoqëria jonë gjithmonë kanë ofruar mbështetje dhe ndihmë, ashtu siç kemi marrë ndihmë në rast të fatkeqësive të mëdha”, përfundoi Zaev.

Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur gatishmërinë e vendit që të pranoj refugjatët afgan.

Ai në samitin e NATO-s kishte ngritur shqetësimin e tij për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani.

“Thashë në samit se pas tërheqjes së ushtrive të saj, bashkësia e qytetërimit demokratik të NATO-s nuk mund t’i lerë në mëshirën e barbarëve triumfatorë, njerëzit e ekspozuar si mbështetës të afërt të misioneve paqeruajtëse atje. Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës”.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka dhënë pëlqimin e saj për strehimin e afganëve pro-amerikan.

“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Nga ana tjetër, talebanët kanë hy në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul të dielën pasdite. Ata kanë hy edhe në ndërtesën e presidencës afgane.

Talebanët në ndërtesën e Presidencës së Afganistanit në Kabul, pas marrjes nën kontroll të territorit dhe largimit të Presidentit, Ashraf Ghani

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore