Lajme

Maqedonia e Veriut fillon zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë


Shkup

Maqedonia e Veriut (RMV) ka filluar të zbatoj sanksionet ndaj Federatës së Rusisë prej sot (1 mars), duke përfshi mbylljen e hapësirës ajrore për fluturimet nga Rusia dhe mos dërgimin e ambasadorit në Moskë.

Këtë e ka bërë të ditur i pari i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Shteti maqedonas gjithashtu ka marrë vendim edhe për dërgimin e ndihmës ushtarake dhe asaj humanitare për Ukrainën e cila po lufton në mbrojtje nga mësymja ruse.

Osmani gjithashtu ka bërë të ditur se është marrë vendim që të mos dërgohet ambasadori i RMV-së në Rusi, i cili duhej të shkonte atje më 15 mars.

“Gjendja po përkeqësohet edhe krahas bisedave të djeshme. Ata u ndalën për konsultime shtese, megjithatë informacionet që i kemi janë se pritet përkeqësim i veprimeve ushtarake në periudhën që vijon”, ka thënë Osmani.

Operatorëve kabllorë Qeveria i ka bërë thirrje që të ndalojnë transmetimin e të gjitha mediave ruse në programet e tyre, si masë për t’u përballur me dezinformatat dhe propagandën ruse lidhur me agresionin në Ukrainë, ndërsa Kosova më 26 shkurt, ka marrë një vendim të tillë.

Sipas Osmanit, Qeveria i ka bërë thirrje kompanive private që të participojnë në dërgimin e ndihmës.

Ndërsa Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i është propozuar një nismë nga Partia Liberale Demokrate, ku me të janë pajtuar të gjitha partitë parlamentare. Debati në komision i paraparë për sot u anulua por propozuesi kërkon që deklarata të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur përcjell mediumi AlsatM.

“Deklarata është në procedurë parlamentare megjithatë nuk është vendosur në seancën e sotme plenare për shkak se pritet përkthimi. Shpresoj se nuk do të vijë deri te stërzgjatja e kësaj çështje sepse bëhet fjalë për një çështje që na shqetëson të gjithëve”, ka deklaruar Monika Zajkova nga Partia Liberal-demokrate.

Ajo tutje ka thënë se “Agresioni ushtarak nuk mundet dhe nuk duhet të lejohet në shekullin 21. E pamë se për paqen duhet të bisedojmë vazhdimisht sepse asgjë nuk kemi të sigurt. Këtë sulm duhet ta dënojmë ashpër sepse bëhet fjalë për shkelje të rëndë të të drejtave ndërkombëtare dhe për sulm ushtarak i cili do të sjellë shumë katastrofa dhe për fat të keq, numër të lartë të viktimave njerëzore”, ka thënë ajo.

Monika Zajkova

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore