Përballje

Maqedonia e Veriut arrin zonën play-off të kualifikimeve për Kampionatin Botëror


Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut, ka arritur të kualifikohet në zonën play-off të Kupës së Botës, “Katar 2022”.

Maqedonasit mposhtën Islandën me rezultat 3:1, në ndeshjen e fundit kualifikuese, sukses ky që ua garantoj vendin e dytë të Grupit J, me 18 pikë, një më shumë se vendi i tretë Rumania.

Esgjan Alioski kaloi Maqedoninë e Veriut në epërsi që në minutën e shtatë të ndeshjes, ku rezultati i pjesës së parë u mbyll me epërsi minimale të vendasve.

Me të filluar pjesa e dytë, islandezët barazuan përkohësisht rezultatin me golin e shënuar nga Jon Dagur Thorsteinsson.

Por, Eljif Elmas riktheu epërsinë në minutën e 65-të të ndeshjes për maqedonasit, kurse tre minuta para fundit shënoi edhe golin e tretë, për rezultatin përfundimtar 3:1.

Pra, Maqedonia e Veriut, pas pjesëmarrjes për herë të parë në Evropianin e kaluar, tani ka mundësinë të jetë pjesëmarrëse edhe me një garë prestigjioze, siç është Kupa e Botës, ku këtë sukses duhet ta kërkojë përmes zonës play-off.

Në orën 18:00 u zhvilluan edhe dy ndeshje tjera të këtij grupi.

Gjermania mposhti në udhëtim Armeninë me rezultat 1:4, ndeshje në të cilën Kai Havertz dhe Ilkay Gundogan shënuan dy gola në pjesën e parë.

Kurse në të dytën, për gjermanët realizuan përsëri Gundogan dhe golin e gjeti Jonas Hofmann, ndërsa për Armeninë shënoi golin e nderit Henrikh Mkhitaryan.

Ndërsa në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Rumania arriti fitore në udhëtim te Liechtenstein me shifrat 0:2.

Rumunët realizuan nga një herë në secilën pjesë të ndeshjes, sukses ky i cili i ngriti në vendin e tretë të grupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore