Lajme

Maqedonci dhe komandanti i kontingjentit turk të KFOR-it, diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoni dhe koloneli Sabri Gokhan.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoni të mërkurën është takuar me komandantin e kontigjentit turk të KFOR-it, kolonel Sabri Gokhan, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Maqedonci ka thënë se kanë diskutuar edhe për trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së.

“Biseduam rreth situatës së sigurisë në vend, e po ashtu dhe trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së të cilat po vazhdojnë të zhvillohen në Turqi”.

“Kolonelin e falënderova për kontributin e kontingjentit turk në Kosovë, dhe Turqisë për mbështetjen në zhvillimin e kapaciteteve të plota të FSK-së”, ka shkruar ai.

Më 10 tetor në Kosovë, gjenerali italian, Angelo Michele Ristucca, ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it gjeneralit turk, Ozkan Ulutas.

Këtë mandat, Ulutas do ta ushtrojë për një vit, derisa me rastin e inaugurimit të komandantit të 28-të KFOR-it në Kosovë ka ardhur edhe admirali Stuart B. Munsch, që është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

Përndryshe, kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Situata ka qenë e tensionuar në Kosovë që nga 24 shtatori kur kishin ndodhur sulmet në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri tashmë i shpallur hero, Afrim Bunjaku, e që pastaj ishte bërë sekuestrimi i arsenalit të armëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore