Shqipëria

Makina bie nga mbikalimi në Sauk, 2 vajza humbin jetën


Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e 9 marsit në zonën e njohur si mbikalimi i Saukut, në rrugën e Unazës së Re, ku një makinë, e cila vinte nga segmenti lindor, ka rënë nga mbikalimi, duke lënë të vrarë dy vajza dhe duke lënë të plagosur edhe katër të tjerë.

Kështu kanë bërë me dije nga Policia e Shtetit, lidhur me rrethanat paraprake.

Sipas njoftimit zyrtar nga strukturat e rendit, rreth orës 17:55, shtetasi K.R., 24 vjeç, në drejtim të një automjeti tip “Audi”, ka qenë duke udhëtuar në unazën lindore me drejtim lëvizje nga Farka për tek rrethrrotullimi pranë Teg dhe pasi ka humbur kontrollin, duke thyer barrierat rrethuese të mbikalimit, ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip “Honda”, me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.

Si pasojë e aksidentit rrugor kanë humbur jetën dy shtetase të pa identifikuara akoma, të cilat ishin pasagjere ne automjetin “Audi” si dhe ka mbetur i dëmtuar rëndë drejtuesi i këtij automjeti, si dhe shtetasit A. K., 51 vjeç, O. K, 24 dhe Q. K, rreth 60 vjeç, që udhëtonin me automjetin tjetër.

Në vendngjarje gjenden forcat e Policisë si edhe ambulanca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore