Lajme

Majori Xhafa: S’presim tensione në inaugurimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut


Shefi i operatives rajonale të Mitrovicës së Veriut, Majori Shkëlzen Xhafa

Shefi i operatives rajonale të Mitrovicës së Veriut, Majori Shkëlzen Xhafa, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka ndërrmarrur të gjitha masat në aspektin e sigurisë ku pritet që kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç të bëjë betimin më 19 maj në ndërtesën e komunës.

Xhafa në një deklaratë për media ka theksuar se nuk presin që të ketë tensione gjatë betimit të kryetarit.

“Policia e Kosovës në bazë të autorizimeve të tyre i ka marrë të gjitha masat në aspektin e sigurisë. Ne si Polici kemi vendosur zyrtar policor të rregullt që më shumë do të merren me çështjet e trafikut se nuk presim që të ketë ndonjë tension në këtë inaugurim”.

“Kemi zyrtar civil brenda e rreth objektit. Nuk ka ngritje të masave. Të gjitha masat janë ndërmarrë sikur në çdo vend tjetër”, ka deklaruar ai.

“Çdo gjë është në rregull, tani po bëjmë edhe përgatitjet e fundit rreth organizimit”, ka deklaruar kryetari i ri i komunës së Mitrovicës së Veriut, në një prononcim për Albanian Post këtë të premte.

Ai ka treguar se nuk kanë shtuar sigurinë përreth objektit dhe nuk do të ketë prezencë të Policisë së Kosovës, pasi që, sipas tij nuk pret që situata të eskalojë.

Erden Atiç nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili doli fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune më 23 prill, këtë të premte do të bëjë betimin si kryetar i ri i komunës.

“Gjithçka është e qetë, nën masa të rregullta, asgjë e jashtëzakonshme”, përfundoi Atiç.

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 837 votues, apo 4. 62 për qind.

Nga këto vota, kandidati i VV-së, Erden Atiç mori 553 vota ose 66,9 për qind, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor.

Më 28 prill, KQZ ka certifikuar rezultatet për kryetarë në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe si dhe për asamblenë komunale të Zveçanit, ndërsa rezultatet e asamblesë në komunën e Leposaviqit KQZ i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve për asamble komunale më 4 maj.

Sipas ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryetarët e komunave duhet të japin betimin ose deklaratën solemne para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, jo më larg se 30 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve.

Erden Atiç do të betohet këtë të premte të 19 majit, ndërsa 3 kryetarët e tjerë ende nuk kanë caktuar data të seancave solemne.

Edhe pse zyrtarisht Atiç do të filloj punën nga kjo e premte, në një nga katër komunat veriore të banuar me shumicë serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç një ditë më parë ka deklaruar se këta kryetarë “nuk do të pranohen kurrë” nga serbët.

Atiq betohet si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut: “Çdo gjë është në rregull, asgjë e jashtëzakonshme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore