Lajme

Atiq betohet si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut: “Çdo gjë është në rregull, asgjë e jashtëzakonshme”


“Çdo gjë është në rregull, tani po bëjmë edhe përgatitjet e fundit rreth organizimit”, ka deklaruar kryetari i ri i komunës së Mitrovicës së Veriut, në një prononcim për Albanian Post këtë të premte.

Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili doli fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune më 23 prill, këtë të premte do të bëjë betimin si kryetar i ri i komunës.

Ai ka treguar se organizatorët janë marrë me të gjitha detajet dhe kanë punuar që ceremonia të realizohet normalisht.

“Do të mbajmë ceremoninë në sallën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, në ora 11:00, ashtu siç janë rregullat dhe pas kësaj do të mbajmë një konferencë për medie”.

Atiq ka treguar se nuk kanë shtuar sigurinë përreth objektit dhe nuk do të ketë prezencë të Policisë së Kosovës, pasi që, sipas tij nuk pret që situata të eskalojë.

“Gjithçka është e qetë, nën masa të rregullta, asgjë e jashtëzakonshme”, përfundoi Atiq.

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 837 votues, apo 4. 62 për qind.

Nga këto vota, kandidati i VV-së, Erden Atiq mori 553 vota ose 66,9 për qind, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor.

Më 28 prill, KQZ ka certifikuar rezultatet për kryetarë në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe si dhe për asamblenë komunale të Zveçanit, ndërsa rezultatet e asamblesë në komunën e Leposaviqit KQZ i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve për asamble komunale më 4 maj.

Sipas ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryetarët e komunave duhet të japin betimin ose deklaratën solemne para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, jo më larg se 30 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve.

Erden Atiq do të betohet këtë të premte të 19 majit, ndërsa 3 kryetarët e tjerë ende nuk kanë caktuar data të seancave solemne.

Edhe pse zyrtarisht Etiq do të filloj punën nga kjo e premte, në një nga katër komunat veriore të banuar me shumicë serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç një ditë më parë ka deklaruar se këta kryetarë “nuk do të pranohen kurrë” nga serbët.

“Nuk do të pranohen kurrë. Do të zgjedhën kryetarë të rremë të mbështetur nga vendet e QUINT-it në zgjedhjet më të rreme, më të turpshme dhe më të mjerueshme në botë, me një pjesëmarrje mesatare prej 3.4 për qind”, tha Vuçiç në Novi Sad në hapje të një fabrike japoneze, raporton N1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore