Shqipëria

Macron: BE-ja duhet të rishikojë marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, t’u ofrojë atyre perspektiva të sinqerta


“Bashkimi Evropian duhet të rishikojë marrëdhëniet e saj me Ballkanin Perëndimor dhe t’u ofrojë atyre perspektiva të sinqerta për t’u bashkuar me bllokun”.

Kështu është shprehur presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian duke ritheksuar dhe njëherë politikën që do të ndjekë gjatë Presidencës gjashtë mujore BE-së, për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor.

Më tej ai ka folur edhe për një marrëveshje të re stabiliteti dhe sigurie që më pas mund ta diskutojnë me Rusinë.

Duke iu referuar “përpjekjeve destabilizuese” në kontinent, Macron tha se Evropa dëshiron të gjejë një përgjigje politike ndaj konfliktit në Ukrainë.

“Siguria e kontinentit tonë është e pandashme”, tha Macron duke iu referuar Rusisë, duke shtuar se Evropa duhet të përcaktojë standardet e saj të sigurisë.

Ai shtoi se Evropa duhet “të sjellë veten në një pozicion për t’u siguruar që ato mund të respektohen”.

Sipas tij BE-ja duhet gjithashtu të propozojë një aleancë të re për vendet afrikane. Gjithashtu shtoi se për sa i përket kësaj BE-ja dhe vendet afrikane do ta diskutojnë atë në një samit gjatë muajit shkurt.

Përveç perspektivës për Ballkanin Perëndimor Macron ka deklaruar se ndër të tjera gjatë Presidencës franceze në BE, përfshihen edhe reformimi i zonës pa kufij Shengen apo ndjekja e një modeli të ri evropian.

Nga 1 janari i vitit 2022, Presidenca franceze e BE-së do të zhvillohet në mes të “krizës së shëndetit dhe klimës” dhe “pabarazive në rritje globale”.

Kujtojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rrugën drejt anëtarësimit Evropian e kanë të bashkërenduar.

Por, e vetmja gjë që bllokon hapjen e negociatave për dy vendet ballkanike, është vetoja e Bullgarisë ndaj Shkupit. Ky vendim penalizon edhe Shqipërinë.

Nga ana tjetër Presidenti francez ka deklaruar i prerë që negociatat për Tiranën dhe Shkupin të hapen sa më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore