Lajme

Prioritetet e presidencës franceze në BE: Të qartësohen perspektivat evropiane të WB-së


Të enjten e 9 dhjetorit, presidenti francez Emmanuel Macron renditi mes prioriteteve të Presidencës së re të Këshillit të Bashkimit Evropian edhe qartësimin e perspektivave evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndër të tjera, përfshiheshin reformimi i zonës pa kufij Shengen apo ndjekja e një modeli të ri evropian.

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Presidenca franceze e BE-së do të zhvillohet në mes të “krizës së shëndetit dhe klimës”, “pabarazive në rritje globale”.

Macron foli edhe për “tensione në rritje” përgjatë kufirit lindor të BE-së.

Presidenca e Francës në Këshillin e BE-së do të përkojë gjithashtu me zgjedhjet franceze.

Këto të fundit janë të planifikuara në datat 10 dhe 24 prill, ku Macron me shumë gjasa do të jetë kandidat.

Lidhur me mbivendosjen e agjendave evropiane dhe kombëtare, Macron tha se Parisi “nuk zgjodhi kalendarin” dhe se ky ishte “fruti i zbatimit të Brexit”.

Afrika dhe Ballkani Perëndimor

Franca do të marrë “iniciativa strukturore” ndaj Afrikës dhe Ballkanit Perëndimor, deklaroi më tej presidenti francez.

“Lidhja midis Afrikës dhe Evropës është projekti i madh politik dhe gjeopolitik i dekadave në vijim”, tha Macron.

Për Ballkanin Perëndimor, Macron këmbënguli se duhet patur një “përgjegjësi shumë të veçantë” ndaj këtyre vendeve.

Kjo, në drejtim të mbrojtjes së pakicave dhe luftimit të ndërhyrjeve.

Sovraniteti i BE-së

Objektivi i parë i presidencës franceze do të jetë “kalimi nga një Evropë bashkëpunuese brenda kufijve tanë në një Evropë të fuqishme në botë”.

Kreu i shtetit francez, paralajmëroi për një Evropë plotësisht sovrane, të lirë për të bërë zgjedhjet e saj dhe zotëruese e fatit të vet.

Në fjalimin e tij, Macron tha se dëshironte të kishte “kontroll” më të mirë të kufijve të Evropës.

Sipas tij, ky ishte një “kusht i domosdoshëm” për të përballuar sfidën e emigrimit.

Në këtë drejtim, ai bëri thirrje për një reformë të zonës pa kufij Shengen sipas modelit të Eurozonës.

Franca do të mbrojë gjithashtu krijimin e një “mekanizmi emergjent të mbështetjes kufitare” në bashkëpunim me agjencinë kufitare të BE-së, Frontex.

Ambiciet e politikës së jashtme të Macron kanë të bëjnë veçanërisht me mbrojtjen e Evropës.

Një Evropë më “humane”

Në fjalimin e tij, Macron tha se donte të përfitonte nga presidenca për të rinovuar “vokacionin humanist” të BE-së.

Konferenca për të Ardhmen e Evropës që do të mbyllet në maj, sipas tij, duhet të shënojë “fillimin e këtij momenti rithemelues”.

Kreu i shtetit francez shprehu gjithashtu dëshirën e tij për të gjetur “instrumente të reja për të ndihmuar në sjelljen e lirisë sonë demokratike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore