Shqipëria

Lutje për Tetovën- edhe nga Shqipëria


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet “më të ndjera” për jetët e humbura nga shpërthimi i zjarrit në spitalin e Tetovës.

Në mesazhin e tij, Meta është solidarizuar me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë “përpjekje maksimale” për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën.

“Me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës”, shkruan Meta për ngjarjen në Tetovë, që e cilëson “tepër të rëndë dhe tronditëse veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara”.

Ndërsa ndan “dhembjen e madhe me familjarët e viktimave”, Meta u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dërguar gjithashtu lutje për të lënduarit gjatë shpërthimit të zjarrit në Spitalin e Tetovës.

Përmes një postimi në median sociale Facebook, ai shkruan “lutje për Tetovën”, duke shprehur kështu dhimbjen për viktimat që humbën jetën nga zjarri i rënë në spital modular COVID-19.

Edhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, përmes një postimi në median sociale Twitter, shprehet “i pikëlluar, për lajmet e hidhura që vijnë nga Tetova”.

“Në këtë ditë tragjike i bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve të viktimave e ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shkruan ai ndërsa uron për shërim të shpejtë të të lënduarve.

Ngushëllimet më të ndjera për familjarët e viktimave ka shprehur dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjithashtu ju ka dëshiruar shërim të shpejtë të plagosurve, ndërsa ka kurajuar ekipet e emergjencave”.

Të paktën 10 viktima dhe dhjetëra të plagosur kanë mbetur pas shpërthimit në spitalin modular COVID-19 në qytetin e Tetovës, i cili u përfshi nga flakët mbrëmjen e 8 shtatorit.

Këtë e ka bërë të ditur ministri për Shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, përmes një postimi në median sociale Twitter.

Po ashtu, ministri Filipçe shtoi se “mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve”, duke u qëndruar afër “bashkëqytetarëve tanë”.

Ndër të tjera u ka bërë apel mediave që “të mos spekulojnë” me numrat e viktimave.

“Ne do të ndajmë të gjitha informacionet zyrtare në kohën e duhur”, sqaron ministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore