Lajme

Të paktën 10 viktima nga shpërthimi në spitalin e Tetovës


Të paktën 10 viktima dhe dhjetëra të plagosur kanë mbetur pas shpërthimit në spitalin modular COVID-19 në qytetin e Tetovës, i cili u përfshi nga flakët mbrëmjen e 8 shtatorit.

Këtë e ka bërë të ditur ministri për Shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, përmes një postimi në median sociale Twitter.

“Deri më tani, 10 persona janë konfirmuar të vdekur në zjarrin e rënë. Numri mund të rritet”.

Po ashtu, ministri Filipçe shtoi se “mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve”, duke u qëndruar afër “bashkëqytetarëve tanë”.

Ndër të tjera u ka bërë apel mediave që “të mos spekulojnë” me numrat e viktimave.

“Ne do të ndajmë të gjitha informacionet zyrtare në kohën e duhur”, sqaron ministri.

Po ashtu, nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut bëhet me dije se “të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkupit”.

“Sapo u lokalizua zjarri në orën 21:30”, ka njoftuar më herët komandanti i zjarrfikësve, Sasho Trajcevski, “në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe 15 minuta më vonë u shua plotësisht”.

Menjëherë u mblodh Shtabi i Krizës së vendit. Funksionarët nuk japin ende detaje zyrtare për shkakun e zjarrit.

Pas mbledhjes së Shtabit të Krizës në Tetovë,  Zaev deklaroi se nuk do të jepen informacione deri sa të përfundojnë punën fillestare organet hetuese.

Kabineti qeveritar mbërrin në vendngjarje

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur dhe i pari i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zorean Zaev, pasuar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Kryeministri Zaev tha se, “ekipet e zjarrfikësve janë brenda spitalit dhe duhet të pritet ekspertiza forenzike. Më pas, do të dilet me deklarata se çfarë ka ndodhur në Tetovë”.

Ndër të tjera ka shprehur dhe “ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerit”, si dhe “uroj shërim të shpejtë të të plagosurve”.

“Shkaqet e zjarrit do të bëhen të ditura sa më shpejt”, sipas kryeministrit Zaev, për të cilat autoritetet gjyqësore janë tashmë në terren.

“Shtabi i krizës në Komunën e Tetovës aktualisht është në terren”.

Gjithashtu edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka bërë të ditur në faqen median sociale Facebook, se ka shkuar në vendin e shpërthimit sapo mësoi për tragjedinë.

“Për momentin po udhëtoj drejt Tetovës, ku fatkeqësisht ka shpërthyer një zjarr në spitalin COVID. Menjëherë pas shqyrtimit të gjendjes do të ndajmë informata për opinionin se çka në fakt ka ndodhur atje”, shkruante Filipçe.

Ai, po ashtu, bënte apel “për qetësi derisa i presim detajet për këtë fatkeqësi”.

Gjithashtu, në vendngjarje ka shkuar edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila dha një prononcim për mediat.

Kryetarja bëri me dije se “ende nuk ka informacione zyrtare se cilat kanë qenë shkaqet e zjarrit dhe se sapo zëvendësshefi i zjarrfikësve ka marrë thirrjen në orën 21:02 minuta, kanë qenë në vendngjarje me shtatë makina”.

“Ende nuk dihet diçka konkrete, por gazetari ynë është në vendngjarje dhe së shpejti do kemi informacione shtesë”, tha Arifi, e cila e përlotur dha një prononcim për mediat.

5 prokurorë, për të gjetur shkaqet e zjarrit

Ndërsa nga Prokuroria Publike Themelore e Tetovës është njoftuar se, pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren, nga ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit në Tetovë.

“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizën në vendin e ngjarjes në spitalin në Tetovë”.

Sipas njoftimit, në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore