Shqipëria

Lutja e Ramës për Bullgarinë: Bëhuni ballkanas që të bëhemi evropianë


“Bëhuni ballkanas dhe jo kaq unionistë evropianë”.

Me këto fjalë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje presidentit bullgar, Rumen Radev, që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, duke hequr kështu edhe bishtin që është vënë në rrotën e Shqipërisë, për fillimin e bisedimeve me unionin.

“Nuk po flasim që të bëhemi anëtarë”, tha Rama duke e riparalelizuar situatën me atë të Godosë nga Samuel Beckett. “Po flasim për çeljen e bisedimeve. Bëhuni ballkanas dhe na lini të flasim me Evropën”.

Ky ka qenë edhe një ndër mesazhet kryesore që Rama ka zgjedhur të japë në Forumin Ekonomik që u mbajt në Bled të Sllovenisë.

Përgjigjja e Radev ka qenë e menjëhershme: “Edi, keni të drejtë”.

Kështu ka thënë ai, duke ravijëzuar edhe faktin se, pikërisht për këtë çështje gjendej aty. Pra, për të diskutuar zgjerimin e Evropës dhe, mbi të gjitha, për të vijuar dialogun me Maqedoninë e Veriut.

Prej muajsh tashmë, Bullgaria po e bllokon procesin e hapjes së negociatave për dy vendet ballkanike. Kjo, madje, nuk është as hera e parë që kryeministri Rama bën këtë kërkesë të hapur ndaj Bullgarisë.

Më 9 qershor, në një takim në Sofje me Radev, Rama bëri përpjekjen e fundit për të zgjidhur ngërçin bullgaro-maqedonas përpara vendimit të Parlamentit Evropian për çeljen e negociatave.

Një presion që e kanë ushtruar ndaj Sofjes edhe eksponentë të lartë evropianë. Mirëpo, çështja ende qëndron pa zgjidhje.

Kështu – ende – fati i zgjerimit të BE-së, mbetet brenda kufijve gjeografikë dhe mendorë të Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore