Shqipëria

‘Nuk ka të ardhme të BE-së pa Ballkanin Perëndimor’


“Nuk ka të ardhme të BE-së pa Ballkanin Perëndimor”.

Duke falënderuar organizatorët e Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, ky ishte mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në momentin që Rama filloi të flasë për qëllimin e mbledhjes së Forumit mbi të ardhmen e BE-së, ai thotë se “Ne jemi këtu për të luftuar. Ne jemi evropianë, nuk po punojmë për t’u bërë evropianë”.

Kryeministri nuk i kurseu batutat në lidhje me qëndrimin e vendeve të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne do të përpiqemi të dhurojmë një buzëqeshje, në ambient të zymtë”.

Skepticizmin dhe vonesën e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kreu i qeverisë e sjell me anë të një “historie”, rreth bisedës së një “euro-optimisti” dhe “europesimisti”.

“Për euro-optimistin, pikëpamja për zgjerimin është që Turqia do të hyjë në BE, kur presidencën ta ketë Shqipëria ose Maqedonia e Veriut. Ndërsa një europesimist thotë se Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të futen në BE kur presidencën ta ketë Turqia”, shtoi ai, duke iu referuar në këtë mënyrë faktit që Turqia nuk u pranua të futej në BE vite më parë.

Pritjen e dy vendeve ballkanike për të filluar negociatat, Rama e paralelizon me personazhin e Godosë që nuk vjen kurrë, në komedinë e Samuel Becket-it. Kjo çoi tre qeveritë, atë të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të bëjnë diçka më vete për të adresuar problemet ekonomike dhe politike që prekin shtetet e tyre. Lindi pikërisht këtu ideja e “Ballkanit të Hapur”.

“E kemi gjetur mënyrën për t’u përballur me BE-në. Ne po presim Godonë! Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë si dy karakteret e Beckett-it, ku njëri thotë ‘a do ikim?’, tjetri thotë ‘ikim’, ndërsa Beckett thotë ‘asnjëri’”.

Ai tha se Beckett mund të shfaqet në BE përmes ngjyrave, ku së fundmi është Bullgaria.

“Nuk po flasim që të bëhemi anëtarë”, tha Rama duke e riparalelizuar situatën me atë të Godosë nga Samuel Beckett. “Po flasim për çeljen e bisedimeve. Bëhuni ballkanas dhe na lini të flasim me Evropën”.

Më 22 qershor, Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë konfirmoi sërish pozicionin e saj mbi ofertën e Maqedonisë së Veriut, duke mos hequr veton e vendosur lidhur me negociatat.

Për këtë arsye, Rama i bëri thirrje presidentit bullgar, Rumen Radev, që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, duke hequr kështu edhe bishtin që është vënë në rrotën e Shqipërisë, për fillimin e bisedimeve me unionin.

“Mos jini kaq tipike e BE-së. Bëhuni ballkanas, hapeni rrugën, na lini të flasim me ta. Ju mund të bëheni ballkanikë”.

Në fund, Rama tha që një ditë Ballkani Perëndimor dhe Evropa do të bashkohen, edhe pse kjo do të dojë shumë vite pritjeje.

“Ne një ditë do të martohemi me ju. Natyrisht kjo kërkon të provojë karakterin dhe pozitën tonë. Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Makroni, që është më i riu, do të jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim vetëm për çeljen e bisedimeve”.

Pritja e anëtarëve

Më herët, Rama ka takuar kryeministrin slloven, Janez Jansa. Ky i fundit është mikpritësi i forumit.

Ndër eksponentë të lartë evropianë, Rama duket të ketë zhvilluar një takim individual me Komisionerin evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili ishte i pranishëm në takim.

Një shkëmbim batutash ka pasur edhe me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ndërsa, takimi me kryeministrin hungarez, Victor Orban, ka qenë më miqësor. Rama është parë duke zhvilluar një bisedë me të.

Gjatë akomodimit në sallën e konferencave, Rama ka zhvilluar një bisedë edhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Moshapja e negociatave

Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë, Anna Paula Zacarias, në një konferencë për mediat në përfundim të takimit, deklaroi me keqardhje se “pavarësisht të gjitha përpjekjeve, nuk u dakordësuan mbi një datë për mbajtjen e një konference ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut”.

Sipas saj, shkak u bë “ngërçi i Maqedonisë së Veriut dhe Vetoja e Bullgarisë me parashtrimin e kushteve të saj”.

Ndërkaq, Zacarias sqaroi se kjo çështje mbetet për t’u shqyrtuar në vijim, për të mos e humbur “momentumin e saj”.

Ajo shtoi se Presidenca e ardhshme sllovene do të vijojë me angazhimin e saj mbi këtë çështje që, sipas saj, “mbetet jetike për BE-në”.

Gjatë takimit, ministrat e BE-së “shënuan zhvillimet e fundit”, shpjegoi Zacarias dhe “nënvizuan rëndësinë strategjike dhe realitetin gjeopolitik të procesit të zgjerimit të BE-së që përfaqëson një investim në paqe, demokraci, prosperitet, në sigurinë dhe stabilitetin e unionit”.

Zacarias u shpreh se ministrat gjithashtu “vunë theksin mbi arritjen e një marrëveshjeje politike me Parlamentin e BE-së në lidhje me rregulloren Ipa III (instrument i ndihmës së para-pranimit), e cila nën presidencën sllovene mund të kalojë në zbatim”, dhe diskutuam të ardhmen e Konferencave ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi.

Vetoja bullgare

Gjatë gjysmës së dytë të ditës, më 22 qershor, Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë konfirmoi sërish pozicionin e saj mbi ofertën e Maqedonisë së Veriut.

“Bullgaria riafirmoi pozicionin e saj mbi perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë Veriore gjatë takimit të sotëm të rregullt të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GCC), ndërsa ishte e hapur për një dialog konstruktiv me Presidencën e ardhshme Sllovene të Këshillit të BE-së për gjetjen e ndërsjellë të një zgjidhjeje të pranueshme”, shkruhet në deklaratën e tyre zyrtare të publikuar në web.

Bullgaria vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e reformës dhe riafirmoi mbështetjen e saj për miratimin e kornizës negociuese të vendit.

Kushtet e Bullgarisë përfshijnë refuzimin e qartë të Republikës së Maqedonisë Veriore nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë.

Sakaq, ata kërkojnë ndryshimin e mbishkrimeve apo monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Autoritetet bullgare rendisin dhe aktivizimin e një procesi të rehabilitimit të viktimave të Jugosllavisë komuniste në kushtet e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore