Lajme

Lugina e Preshevës mirëpret vendimin për ndarjen e dy milionë eurove nga buxheti i Kosovës


Foto nga Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten buxhetin për vitin 2022, në kuadër të këtij buxheti ka ndarë dy milionë euro për Luginën e Preshevës.

Kështu u bë e ditur në mbledhjen e së premtes të Qeverisë së Kosovës.

“Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro”, tha kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa, kjo ndarje është mirëpritur nga liderët politikë në Luginë.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e ka quajtur lajm të mirë ndarjen e 2 milionë eurove për Luginën.

“Lajm shumë i mirë njoftimi i Kryeministrit i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, për buxhetimin prej 2 milion euro për Luginën e Preshevës. Kjo mbështetje merr vlerë të shtuar nga fakti se Lugina e Preshevës bëhet pjesë përbërëse e buxhetit të Republikës së Kosovës”, shkruan ajo në Twitter.

 

Për këtë çështje ka reaguar edhe ish kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

“Ka vite që kam kërkuar me këmbëngulje që Lugina🇦🇱 të jetë pjesë e planifikimit buxhetor të Kosovës”.

“Mirëpo, pas shumë viteve të anashkaluar në kërkesa, Lugina Preshevës tanimë pjesë e planifikimit buxhetor të Kosovës me 2 milionë euro për vitin 2022 nga #QeveriaKurti. Bashkë jemi më të fortë”, shkruan ai.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës vazhdimisht kanë ngritur shqetësime lidhur me pasivizimin e adresave të banorëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, janë mbi 3 mijë adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Preshevë e Bujanoc.

Lugina e Preshevës.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi i cili filloi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka për synim që të arrihet marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore