Lajme

Lufta Izrael-Hamas në ditën e katërt: Mbi 900 izraelitë të vrarë dhe 770 palestinezë, IDF-ja kryen sulme të reja në Gaza


Izraeli po vazhdon sulmet e tij ajrore në Rripin e Gazës ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se përgjigja ndaj masakrës së Hamasit në Izrael të shtunën “do të jehojë me ta për breza”.

Më herët, mediat hebraike raportuan se Izraeli goditi 1 mijë e 707 objektiva në Gaza që nga e shtuna, duke përfshirë 475 sisteme raketash, 73 qendra komandimi, 23 zona strategjike të infrastrukturës dhe 22 objektiva nëntokësore.

Kalimi i Rafah-ut midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit është përfshirë sërish nën zjarrin izraelit, duke bllokuar të vetmen dalje tokësore nga enklava bregdetare, sipas një raportimi të “The Washington Post”.

Bombardimi, i cili ndodh pak minuta pasi një paralajmërim iu përcoll zyrtarëve të Gazës që e operojnë atë, vjen përkundër faktit se ushtria izraelite këtë mëngjes këshilloi palestinezët të largoheshin nga Rripi i Gazës për në Egjipt në mes të luftës së vazhdueshme me grupin terrorist Hamas.

Të hënën, zyrtarët egjiptianë paralajmëruan kundër shtyrjes së civilëve të Gazës drejt kufijve egjiptianë dhe denoncuan thirrjet izraelite për zhvendosje masive, sipas burimeve të medias egjiptiane.

Kalimi në Rafah ishte i hapur këtë mëngjes, por Egjipti lejoi vetëm palestinezët që kishin marrë autorizimin të largoheshin nga Rripi.

Bilanci tragjik vijon të rëndohet pas dyluftimeve mes militantëve të Hamasit dhe IDF-së (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit).

Të paktën 900 persona kanë mbetur të vrarë në Izrael, thotë Ministria e Shëndetësisë e Izraelit.

2 mijë e 806 izraelitë u plagosën dhe u dërguan në spitale të ndryshme që nga sulmi i papritur i Hamasit të shtunën në mëngjes, zbulojnë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të paktën 770 palestinezë janë vrarë dhe 4 mijë janë plagosur në sulmet ajrore izraelite, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Mes të vdekurve janë 140 fëmijë dhe 120 gra, tha një zëdhënës i ministrisë.

Të paktën 18 persona janë vrarë dhe 100 janë plagosur në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga e shtuna.

Rrethimi total i Izraelit i Rripit të Gazës është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar, ka thënë shefi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.

“Vendosja e rrethimeve që rrezikojnë jetën e civilëve duke i privuar ata nga mallrat thelbësore për mbijetesën e tyre është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Volker Turk në një deklaratë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë njofton se ka 180 mijë persona të zhvendosur brenda në Rripin e Gazës, me 137 mijë e 500 të strehuar në 83 shkolla të UNRWA-s.

Sakaq, autoriteti më i lartë i Iranit Ayatollah Ali Khamenei tha se Teherani nuk ishte i përfshirë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por ai përshëndeti atë që ai e quajti humbjen ushtarake dhe të inteligjencës “të pariparueshme” të Izraelit.

Në fjalimin e tij të parë televiziv që nga sulmi, Khamenei tha “ne puthim duart e atyre që planifikuan sulmin ndaj regjimit sionist”.

Një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi nga ana tjetër se vetëm një numër i vogël i komandantëve të lartë brenda Gazës e dinin për inkursionin e gjerë të nisur në Izrael, por se aleatët si Irani dhe Hezbollahu libanez “do t’i bashkohen betejës nëse Gaza i nënshtrohet një lufte asgjësimi”.

Ali Barakeh, një anëtar i udhëheqjes në mërgim të Hamasit, foli për Associated Press në zyrën e tij në Bejrut ndërsa Izraeli bombardonte Gazën dhe u zotua për një bllokadë totale të territorit të sunduar nga Hamasi.

“Vetëm një pjesë e vogël e komandantëve të Hamasit e dinin për orën zero”, thotë Barakeh, duke shtuar se askush nga komanda qendrore apo byroja politike e Hamasit nuk ishte në kryeqytetin libanez javën e kaluar.

Ai pranon se Irani dhe grupi militant Hezbollah i Libanit e kanë ndihmuar Hamasin në të kaluarën, por tha se që nga lufta e Gazës në vitin 2014 Hamasi ka prodhuar raketat e veta dhe ka trajnuar luftëtarët e vet.

Nga ana tjetër, administrata Biden dhe ligjvënësit kryesorë në Kongres po diskutojnë në mënyrë aktive nëse ndihma për Izraelin mund të lidhet me më shumë fonde për Ukrainën si një strategji për të kaluar të dy prioritetet e shpenzimeve, sipas NBC News.

Ligjvënësit në të dyja partitë që mbështesin ndihmën shtesë për Ukrainën kanë sugjeruar këtë qasje si një mënyrë të mundshme për të siguruar fonde për Kievin, pavarësisht kundërshtimit nga disa anëtarë republikanë në Dhomë dhe Senat.

Një grup konservatorësh të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kundërshtuar me vendosmëri financimin e ri për Ukrainën, të cilin Shtëpia e Bardhë e ka kërkuar, dhe kjo çështje është e sigurtë se do të jetë një faktor në zgjedhjet e lidershipit të konferencës së GOP-së këtë javë.

Ndihma shtesë për Izraelin pas sulmit brutal të Hamasit ndaj izraelitëve shihet si më pak e mundshme për t’u përballur me një luftë të tillë në Kongres.

Sulmet izraelite në Gaza hyjnë në ditën e katërt, IDF-ja thotë se ka kontroll të plotë të gardhit kufitar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore