Lajme

Lirohet i arrestuari i tretë për rastin e grabitjes në Suharekë në mungesë provash


Foto nga video e shkëputur e vjedhjes dhe përplasjes me policinë.

Është liruar i arrestuari i tretë si i dyshuar për grabitjen e armatosur në Komunën e Suharekës, ku pasditen e 22 nëntorit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, e cila ka sqaruar se i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

“Dy të dyshuar janë paraburgim, kurse i treti është liruar për shkak se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”.

Por, ka theksuar që hetimet ndaj tij po vazhdojnë.

“Por, sigurisht që hetimet ndaj tij vazhdojnë”, ka thënë Gashi për AP.

I njëjti person që është liruar nga institucionet ishte arrestuar të dielën.

E të shtunën janë arrestuar dy të dyshuar tjerë për grabitjen e armatosur në Suharekë, ndërsa është bërë e ditur se të arrestuarit nuk kanë qenë pjesëmarrës direkt në grabitje, por kanë asistuar grabitësit në përgatitjen e planit për grabitjen e një argjendarie në qendër të qytetit të Suharekës.

Në pamjet e xhiruara nga qytetarët në vendin e ngjarjes shihen tre grabitës brenda lokalit të argjendarisë duke kryer vjedhjen, ndërsa i katërti bënte rojë jashtë lokalit. Në momentin kur patrullat policore kanë arritur në vendngjarje, grabitësit kanë filluar të shtien në drejtim të zyrtarëve policorë.

Grupi në përbërje prej katër personave dyshohet se kreu vjedhje mbi 250 mijë euro.

Burime të Albanian Post kanë thënë se dyshohet për një grup të përbërë nga ish-të burgosur me të kaluar kriminale të cilët janë liruar rishtazi nga burgjet e Kosovës dhe një pjesë tjetër nga persona që kanë marrë pjesë në luftëra në shtete të tjera jashtë Kosovës.

Kush është grupi i organizuar që vodhi arin në Suharekë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore