Përballje

Liga Unike/ Këtë mesjavë zhvillohet ‘Final 4’ në konkurrencën e femrave


Katër skuadrat më të mira të Ligës Unike në konkurrencën e femrave do të përballen në garë për trofeun e kësaj gare.

Ky është edicioni i parë dhe historik i Ligës Unike në konkurrencën e femrave, andaj dëshira është e madhe për të fituar këtë trofe.

Final 4 do të organizohet në Prishtinë, më 23 dhe 24 Mars.

Gjysmëfinalja e parë është mes Penzës dhe Bashkimit, një derbi kosovar në Ligën Unike.

Pejanet përfunduan garat me tetë fitore e dy humbje, ndërsa prizrenaset me pesë fitore e pesë humbje.

Vashat prizrenase fituan Kupën e Kosovës dhe sigurisht e duan edhe trofeun e Ligës Unike, ashtu siç e duan edhe kampionet e Kosovës që kanë fituar Superkupën Mbarëkombëtare të zhvilluar vitin e kaluar në Vlorë.

Gjysmëfinalja tjetër është ndërmjet Prishtinës dhe Flamurtarit, që përfunduan garat me nga shtatë fitore e tri humbje, si dhe me nga një fitore ndaj njëra-tjetrës.

Prishtinase si organizator synon të fitojë trofeun e çmuar, ndërsa vashat nga Vlora udhëtojnë të bindura për të triumfuar.

Spektakël i basketbollit pritet në Prishtinë për dy ditë, ndërsa hyrja do të jetë falas për adhuruesit e basketbollit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore