Pajisje

LG: Teknologjia e gjeneratës së ardhshme OLED EX për më shumë saktësi


Prodhuesi i disa prej televizorëve të preferuar OLED, LG, është duke përmirësuar teknologjinë e vet bazë të paneleve.

Kompania ka prezantuar teknologjinë OLED të gjeneratës së ardhshme të quajtur OLED EX, e cila do të rrisë ndriçimin deri në 30 për qind dhe do të rrisë saktësinë e figurës.

Faqja e të reja më të fundit teknologjike, “The Verge”, tregon se këto përmirësime janë për shkak të dy ndryshimeve kryesore.

Ndryshimi i parë lidhet me përdorimin e një elementi të njohur si deuteriumi në përbërjen kimike të paneleve OLED të LG-së.

Kurse ndryshimi tjetër ka të bëjë me përfshirjen e përpunimit algoritmik të imazhit.

Për këtë të fundit, LG-ja ka thënë se do të parashikojë përdorimin e secilës diodë që emeton dritë në televizor bazuar në zakonet personale të shikimit.

Kjo, për të “kontrolluar me saktësi hyrjen e energjisë së ekranit për të shprehur më saktë detajet dhe ngjyrat e përmbajtjes së videos që shfaqet”.

Megjithatë, mbetet për t’u pritur derisa këto përmirësime të vlerësohen për çka pretendohet se mund të sjellin ndryshe për përdoruesit.

Ndërkaq, LG-ja ka thënë se mes përmirësimeve do të jetë edhe zvogëlimi i madhësive të kornizave me OLED EX, të cilat janë më konkrete.

Sipas kompanisë, bazuar në llogaritjet që përfshijnë një ekran OLED 65 inç, ai do të jetë në gjendje të zvogëlojë trashësinë e kornizës nga gjashtë milimetra në katër milimetra.

“The Verge” dallon se ky nuk është ndonjë ndryshim i madh, por duke pasur parasysh se sa e optimizuar është tanimë kjo teknologji, duhet luftuar për çdo përmirësim të vogël.

Nga ana tjetër, LG-ja ka zbuluar se planifikon të fillojë të përfshijë teknologjinë OLED EX në të gjitha panelet e veta OLED, duke nisur nga tremujori i dytë i vitit 2022.

Por nuk është e qartë se sa kohë mund të marrë më pas që kjo teknologji të arrijë te konsumatorët.

Përveç përmirësimit të teknologjisë OLED, kompania ka luajtur edhe me disa koncepte më të egra, duke shfaqur ekrane të rinj transparentë, si dhe frone OLED të lakuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore