Shqipëria

Lëvizja 5 Yjet i kërkon Melonit të ‘merret me Ramën’ dhe të mbrojë Rai-n


Përfshirja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në një debat të nxehtë publik me median shtetërore italiane RAI, për shkak të një dokumentari të publikuar nga emisioni Report, ku Qeveria shqiptare përshkruhet si e kapur nga mafia dhe me zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion, ka ngjallur reagime edhe në Italinë fqinje.

Një përplasje e Rai me Engjëll Agaçin

Posaçërisht, çështja më së shumti lidhet me një telefonatë që kryeministri Rama ka kryer me drejtuesin e RAI-t, Paolo Corsini, ku edhe ka akuzuar më pas emisionin Report për censurë.

Rama ka pasur ndërkaq edhe disa shkëmbime publike akuzash me drejtuesin e emisionit, Sigfrido Ranucci, për të cilin ka shkruar edhe një letër publike mëngjesin e 25 prillit.

Rama ‘letër publike’ Ranuccit: Hodhët një tjetër hap fals, fatkeqësi që bëni krahasime me Kremlinin

Në Itali ndërkaq, është Lëvizja 5 Yjet, ajo e cila e ka bërë çështjen të madhe në nivel institucional.

Kjo, pasi eksponentë të saj, pjesë e Komisionit Parlamentar për vëzhgimin e radiotelevizionit, e kanë quajtur të papranueshme sjelljen e Ramës.

Për kryetaren e Komisionit Mbikëqyrës të Rai-t, Barbara Floridia, është paradoksale që një shef i huaj qeverie ndërhyn drejtpërdrejt tek një menaxher i shërbimit publik pasi është përmendur në një investigim gazetaresk.

“Kjo, edhe nëse kryeministri shqiptar do të besonte se ai ishte dëmtuar. Në një farë mënyre nga shërbimi ‘Report’, kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë në Rai. Shpresoj që të ketë një konvergjencë të gjerë të të gjitha forcave politike në luftën kundër ndërhyrjeve të jashtme në informacion në mënyrë që të mbrohet pavarësia e shtypit”, ka reaguar ajo.

Ndërkohë, janë tre eksponentë të tjerë të 5 Yjeve, pjesë e komisionit, përkatësisht Dario Carotenuto, Dolores Bevilacqua dhe Anna Laura Orrico, të cilët i kanë kërkuar Melonit posaçërisht të telefonojë “mikun e saj Rama” dhe të merret me këtë çështje flagrante sipas tyre.

Rama: Reportazhi i Rai-t është bërë për të sulmuar Melonin duke përdorur shëmtuar Shqipërinë dhe Agaçin

“Sikur të mos mjaftonte presioni i qeverisë Meloni për emisionet e ‘Report’, tani janë përfshirë edhe krerët e qeverive të vendeve të huaja, si kryeministri shqiptar Edi Rama. Le t’i bëjmë Giorgia Melonit një pyetje të thjeshtë: a mendoni se është normale që një drejtuese e televizionit publik të kontaktohet drejtpërdrejt nga kryeministri shqiptar për t’u ankuar për një raport gazetaresk?”, ngrenë fillimisht pyetjen ata.

Më tej, shtojnë: A nuk mendoni se duhet të ndërhyni personalisht, për të shmangur atë që duket si një ndërhyrje e panevojshme e kryeministrit shqiptar në lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gazetarisë italiane?

“Nëse ju intereson vërtet, siç ju pëlqen të thoni shpesh, ‘sovraniteti i kombit’, bisedoni me mikun tuaj Rama dhe i thoni që Italia nuk mund të tolerojë ngjarje si kjo e RAI-t, ndaj kërkojmë që të sqarohet çdo detaj i kësaj çështjeje”, përmbyllin.

Vetë Meloni ka qëndruar në heshtje sa i takon çështjes dhe nuk është përzier në të, as pas kërkesës nga deputetët e 5 Yjeve.

Por, debati në distancë, duket se nuk do të shohë tërheqje nga asnjëra palë. Të paktën, nga Rama jo…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore