Lajme

Lëre Shqipërinë, merru me Kosovën


Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur se partia e tij është e shqetësuar që kryeministri Kurti, sipas tij, po ikë nga pa përgjegjësia karshi kërkesave urgjente që ka Kosova.

Në një konferencë për medie të mbajtur në oborr të Kuvendit të Kosovës, Tahiri u shpreh se për 20 ditë, në Kosovë kanë vdekur 212 qytetar nga virusi, ndërsa Kryeministri Kurti, po merret me zgjedhjet në Shqipëri.

“Kryeministri Kurti në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar nga pandemia, ka zgjedhur të ik në Shqipëri për të marrë pjesë në fushata zgjedhore, ndërsa ta lë Kosovën të izoluar”.

“Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore”, është shprehur Tahiri.

Ai shtoi se “Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës. Gara për vaksina është garë për të shpëtuar jetë.”

Tutje Tahiri tha se PDK është e shqetësuar pasi që ka filluar sezoni i punës, mirëpo Qeveria nuk ka dhënë asnjë udhëzim se si t’i qasen bizneset dhe punëtoret punëve në këtë kohë pandemie.

“Shqetësuese është se ne tanimë kemi hy në sezonin e punës, por nuk kemi qartësi se si t’i qasemi dhe si të fillojmë, pasi që Qeveria nuk ka dhënë asnjë udhëzim”.

Gjithashtu i ka bërë thirrje kryeministrit t’i shmanget fushatës në Shqipëri dhe t’i kthehet qytetarëve në Kosovë dhe të mos i shmanget përgjegjësive që ka në Kosovë.

“E ftojmë kryeministrin Kurti t’i marr përgjegjësit e tij e të mos i shmanget përgjegjësive të tij”.

Po ashtu në pyetjet e gazetarëve Tahiri ka thënë se PDK do të koordinohet me subjektet e tjera politike dhe të thërrasin një seancë që ta thërrasin kryeministrin në interpelancë si dhe tha se nuk presin ndonjë mrekulli nga Qeveria.

“PDK do të koordinohet me partitë e tjera opozitare, andaj një seancë duket se do të jetë e pashmangshme, në mënyrë që të thërrasim Kryeministrin në interpelancë. Nuk presin mrekulli nga Qeveria, mirëpo presim përgjegjësi nga ta dhe të jetë në krye të detyrës së saj” është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore