Kosova

Legjitimohen reduktimet – Kuvendi miraton vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës për furnizim me energji


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjencës për furnizim me energji elektrike.

Të martën nuk kishte kuorum për miratimin e këtij vendimi.

Vendimi u miratua nga ana e deputetëve me 57 vota për, 17 abstenime dhe asnjë votë kundër.

Me shpalljen e gjendjes emergjente të energjisë elektrike në Kosovë, është bërë i ligjshëm edhe reduktimi i energjisë.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi që të votohet sërish për këto masa, meqë të martën nuk kishte kuorum për një gjë të tillë, duke i bërë thirrje edhe opozitës të votoj masat.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila

Meqë kjo pikë nuk u votua dje në mungesë kuorumi u desh që të votohet për mocion procedural që e njëjta të hidhet në votim edhe sot. Për këtë mocion 77 deputetë nga 95 sa ishin të pranishëm votuan pro, ndërsa nuk kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se subjekti i tij politik nuk e bllokon procesin për vendimin e masave emergjente energjetike, por se nuk do të marrin pjesë në votim.

“Përkundër vullnetit tonë pozitivë të deklaruar dje, situatën e krijoi papërgjegjshmëria e ministrit të financave, i cili u deklarua që Kurti nuk do të bisedojë me Kuvendin për këtë çështje. Kjo është arsyeja që lëshuam seancën”.

“S’pajtohem me mënyrën si është ndërtuar vendimi. Ka elemente që duhet të trajtohen. Nuk do ta bllokojmë procesin, por s’marrim pjesë në votim”, ka thënë Gashi.

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi

Me vendim parashihet themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë.

Ky Komitet ka për detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike.

Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.

“Të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar, vetëm në pajtim me kriteret e parapërcaktuara dhe objektive të sajuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe të miratuara nga Zyra e rregullatori të Energjisë”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Ndërsa në arsyetim të vendimit, thuhet se Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

“Vështirësitë në furnizim me energji elektrike janë paraqitur sidomos gjatë muajit dhjetor 2021, për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ dhe njëkohësisht rritje të theksuar të konsumit të energjisë elektrike”.

“Duke pasur parasysh se rreth 85% e konsumatorëve në Kosovë janë konsumatorë shtëpiak, kërkesa për energji elektrike është rritur dukshëm si rrjedhojë e uljes së temperaturave”, thuhet në arsyetim.

Vendimi i Qeverisë

Kurti ka falenderuar Ramën për energjinë, por s’ia lë pa përmendur “mungesën e bollëkut”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka falënderuar homologun e tij në Shqipëri, Edi Ramën, për dy ditët e dhurimit të energjisë elektrike që Qeveria shqiptare do i bëjë asaj kosovare për datën 31 dhjetor dhe 1 janar.

Mirëpo, pavarësisht këtij akti në kohë të vështira, Kurti nuk ka lënë pa e përmendur “mungesën e bollëkut” që vetë Shqipëria ka për energjinë elektrike.

Këtë, edhe pasi kjo e fundit, përtej përpjekjeve që qytetarëve brenda kufirit të mos u mungojë energjia elektrike, të bëjë të mundur që së paku për festa të fundvitit, rryma të jetë prezente pa ndërprerje në 128 mijë familje në trojet e Kosovës.

“Edhe Shqipëria nuk ka ndonjë bollëk që të na ndihmojë neve, por në kushte dhe vështirësitë e saj ka shprehur një gatishmëri që natyrisht është për t’u falënderuar e vlerësuar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Dy vendet janë komplementare në metodologjinë e prodhimit është shprehur ai në një konferencë për media.

“Ministrja jonë Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementar, ne kemi termocentrale, ata hidrocentrale. Ne kemi qymyr, ata kanë ujë”, tha Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore