Lajme

Kurti e falënderon Ramën për energjinë, por s’ia lë pa përmendur “mungesën e bollëkut”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka falënderuar homologun e tij në Shqipëri, Edi Ramën, për dy ditët e dhurimit të energjisë elektrike që Qeveria shqiptare i ka bërë asaj kosovare.

Mirëpo, pavarësisht këtij akti në kohë të vështira, Kurti nuk ka lënë pa e përmendur “mungesën e bollëkut” që vetë Shqipëria ka për energjinë elektrike.

Këtë, edhe pasi kjo e fundit, përtej përpjekjeve që qytetarëve brenda kufirit të mos u mungojë energjia elektrike, të bëjë të mundur që së paku për festa të fundvitit, rryma të jetë prezente pa ndërprerje në 128 mijë familje në trojet e Kosovës.

“Edhe Shqipëria nuk ka ndonjë bollëk që të na ndihmojë neve, por në kushte dhe vështirësitë e saj ka shprehur një gatishmëri që natyrisht është për t’u falënderuar e vlerësuar”.

Kështu e mbylli Kurti falënderimin e tij. Ndërsa, hapjen e përqendroi më shumë te fakti se, dy vendet janë komplementare në metodologjinë e prodhimit.

“Ministrja jonë Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementar, ne kemi termocentrale, ata hidrocentrale. Ne kemi qymyr, ata kanë ujë”, do të vijonte ai.

Ndërsa, mbi “borxhin” elektrik, në rast nevoje, pala kosovare do ta kthejë atë gjatë verës, kur Shqipëria të ketë nevojë në muajt e thatë të vitit.

Gjithsesi, pavarësisht se e cilëson si të “veçantë” këtë dhurim, Kurti e ndal atë përsëri në një “rivalitet” fantazmë mes tij e Ramës, duke bërë të mundur të theksojë sërish faktin se nuk është një situatë ku edhe Shqipëria e ka të lehtë.

Por, në Shqipëri, rryma nuk mungon periodikisht e në mënyrë të rregullt si në Kosovë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore