Lajme

LDK-ja merr “leje të veçantë” për të organizuar Kuvendin në kohë pandemie


Kuvendi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do ta nis punën të dielën në orën 10: 00.

Kështu bëri të ditur sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi në një konferencë për media. Abrashi tha se kjo parti ka marrë leje të veçantë për të organizuar Kuvendin zgjedhor për kryetar të partisë.

Ai ka shtuar se shkaku i mungesës së hapësirës nuk ka vend për mysafirë të tjerë. Në Kuvendin zgjedhor të LDK-së pritet të marrin pjesë 335 delegatë, që është përtej shifrave të lejueshme për tubime si masë anti-COVID.

Në pikën e parë të rendit të ditës do të zgjidhen trupat punuese të Kuvendit, derisa në pikën e dytë të rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës që do ta pasojë Isa Mustafën.

Megjithatë, nuk dihet saktë numri i delegatëve që do të marrin pjesë pasi që disa prej tyre janë të infektuar me COVID-19.

LDK-ja ka marrë leje në formë të shkruar nga IKSHPK për ta mbajtur Kuvendin në një prej sallave të një hoteli në periferi të Prishtinës.

Fillimisht bëhet zgjedhja e komisionit verifikues, zgjedhja e komisionit procesmbajtës dhe më pas vijohet me procedurat e tjera. Kandidatë për kryetar të LDK-së janë Besian Mustafa, Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku.

Njëri nga këta emra pritet t’i marrë frenat e partisë të dielën.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi rënie të thellë elektorale deri në përgjysmim të votës, duke marrë 12,73 për qind të votave. Menjëherë pas zgjedhjeve, kryetari aktual Isa Mustafa, që partinë e udhëheqë qysh nga 2010, dha dorëheqje.

Pas tij, edhe e gjithë kryesia e LDK-së. Kryetari i ardhshëm i LDK-së do të jetë i katërti në histori të partisë, pas themeluesit Ibrahim Rugova, pas ardhësit të tij Fatmir Sejdiu dhe në fund Isa Mustafës.

Lidhja Demokratike e Kosovës u formua në vitin 1989. Ishte dimri i atij viti, kur një grup intelektualësh kishin vendosur të krijonin një grupim politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore