Kosova

Lumir Abdixhiku kandidat – zyrtarisht – për kryetar të LDK’së


Lumir Abdixhiku, kandidat për kryetar të LDK-së

Lumir Abdixhiku i ka vërtetuar përfoljet se ai do jetë njëri nga kandidatët për kryetar të ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Po”, ka shkruar Abdixhiku, “do të jem kandidat”.

Ai, në profilin e tij në Facebook, ka renditur arsyet e tij për kandidim dhe ka shkruar për humbjen e thellë dhe “ri-ngritjen” e domosdoshme të LDK-së.

“Ishte ndëshkim nga njerëzit tanë”, shkruan Abdixhiku, kur përshkruan rezultatin e ulët prej vetëm 12.6 për qind të LDK-së.

Rënien në vetëm 110 mijë vota në matjen e fundit elektorale, tashmë kandidati për kryetar e quan “të rëndë”.

Prandaj duhet veprim, sipas Abdixhikut, sepse “më i pafalshëm do të mbetej mosreflektimi i thellë i yni në rrugëtimin tonë përpara. Ky rrugëtim kërkon ndryshim”.

“Mburrja jonë ndërtohet mbi të shkuarën”, shkruan Abdixhiku, “por, e shkuara s’na mjafton më”.

“Përpjekja jonë politike duhet t’i qëndrojë të sotmes. Reformat duhet ta projektojnë të ardhmen. Ato duhet të jenë të thella dhe të pashmangshme. Shtyllat tona ideologjike i mbijetojnë kohës – njerëzit jo”.

Abdixhiku, që personalisht mori mbi 25 mijë vota, shkruan se shtysë për t’i hyrë garës për kryetar, veç qytetarëve, ishin edhe anëtarët e partisë.

“Kam marrë kërkesë për t’i prirë ndryshimit të madh” pohon 38 vjeçari, që nëse zgjidhet kryetar i LDK-së, do të ishte politikani bindshëm më i ri që merr kreun e partisë së vjetër.

“Thirrjet më vijnë nga delegatë, veprimtarë e votues nga të gjitha qytetet e Kosovës; nga të gjitha gjeneratat e kontribuuesve; nga të gjitha rajonet. Më 14 mars, do ta pranoj këtë kërkesë e këtë propozim si privilegj dhe si përgjegjësi”.

Abdixhiku pohon se në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhore të LDK-së do të kandidojë, por marrëveshje me kë nuk do të bëjë.

“S’duhet të ketë” marrëveshje, thotë ai.

Pasi “do të ketë garë dhe garë të drejtë e me votë të fshehtë”.

“Na duhet një proces zgjedhës demokratik për të mbajtur një standard të lartë politik. Le të vendoset lirë. Veç LDK mund ta bëjë një gjë të tillë”.

Ai ka pasur dhe disa kritika. Ka shkruar se ka brenda LDK-së që “përkundër rezultatit të tanishëm – vazhdojnë të insistojnë në mos-ndryshim dhe se çdo ndryshim e refuzojnë ekzistencialisht”.

“Nuk i kuptoj”, pohon Abdixhiku.

“Unë rrugën përpara e shoh ndryshe. Dhe në këtë rrugë pres zgjim. Zgjiim të shumicës për rikthim sepse në rënie s’mund të rrimë të qetë për asnjë çmim”.

“Prandaj, deri në ditën e Kuvendit, i ftoj të gjithë bashkëmendimtarët në LDK, të gjithë veprimtarët aktiv, të gjithë njerëzit e vullnetit për ndryshim që të më bashkëngjiten e të ecim së bashku në këtë rrugëtim të ri”.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi rënie të thellë elektorale deri në përgjysmim të votës.

Menjëherë pas zgjedhjeve, kryetari aktual Isa Mustafa, që partinë e udhëheqë qysh nga 2010, dha dorëheqje.

Pas tij, edhe e gjithë kryesia e LDK-së.

Kryetari i ardhshëm i LDK-së do të jetë i katërti në histori të partisë, pas themeluesit Ibrahim Rugova, pas ardhësit të tij Fatmir Sejdiu dhe në fund Isa Mustafës.

Lidhja Demokratike e Kosovës u formua në vitin 1989. Ishte dimri i atij viti, kur një grup intelektualësh kishin vendosur të krijonin një grupim politik. Nga jashtë do perceptohej si parti politike, por nga brenda LDK do përbënte Lidhjen e shqiptareve dhe konkretizimin e aspiratave të tyre.

Më poshtë shikoni dokumentarin e realizuar nga Albanian Post, që flet për historikun e LDK-së dhe rënien e përkrahjes ndër vite.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore