Lajme

LDK-ja kërkon sqarim nga Kurti nëse fushata e tij është financuar nga kompania “GEN”


Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të sqarojë lidhur me raportimet e mediave sllovene se ka përfituar miliona euro nga kompania “GEN” për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një konferencë për media, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri ka shprehur shqetësimin e tij për raportimin e vazhdueshëm të mediave në Slloveni.

“Sipas gazetës, dyshohet se Martin Berishaj, është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin MB Consulting dhe ku aty madje theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr para të thata nga llogaritë bankare të kompanisë së tij mbi 600 mijë euro në vitin 2019-2020”.

“Ky skandal sa vjen e po thellohet më tepër. Hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania GEN e të cilat dyshohet se është financuar fushata edhe e kryeministrit Kurti, përmes filialit të GEN-it në Tiranë ku janë transferuar 14 milionë euro”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, sipas anëtarit të LDK-së Visar Azemi, mungesa e materialeve për pasaporta ka bërë që të ketë pasoja për vendin.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri

Por, edhe mosemërimi i drejtorit të Përgjithshëm në Policinë e Kosovës ka sjellur probleme.

“Kjo Qeveri nuk arrin që 6 muaj që ta emërojë një drejtor të Policisë. Kemi të bëjmë me një dëshmi për paaftësinë e këtij pushteti. Ne kemi të drejtë ta thërrasim Qeverinë e Kosovës në transparencë dhe sqarim që të na shpjegojë pse po ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Azemi.

Në prill të vitit të kaluar emri i ambasadorit Martin Berishaj ishte përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë.

Ai u përfol se ishte pjesë e skandalit financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat e këtij vendi raportuan se ai kishte bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te një politikan slloven.

Ndryshe, Martin Berishaj është duke u hetuar edhe nga Prokuroria Speciale për “pastrim parash”.

Nëse një person dënohet për veprën penale të pastrimit/shpëlarjes së parave mund të dënohet deri në 10 vjet burgim, apo me gjobë në vlerë më të madhe deri në tri herë se pasuria që është duke u hetuar.

Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë pranuar të prononcohen për këtë çështje dhe as vetë Berishaj nuk ka qenë i qasshëm për një përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore