Lajme

LDK dega në Shtime: “Tash nuk ka koalicion LDK-VV, por mund të ketë nëse merremi vesh”


LDK-VV në Shtime, në kafe “rasti”

“Nuk është e vërtetë që kemi bërë koalicion”, ka thënë për Albanian Post, Kadri Emini, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Shtime.

Emini ka hedhur poshtë zërat se partia e tyre, dega në Shtime ka bërë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Takimi me kryetarin e VV-së ka qenë i rastësishëm, deri tani nuk ka asgjë”, ka thënë Emini duke komentuar një fotografi ku shihen kandidatët e LDK-së dhe VV-së për kryetar komune në qytetin e Shtimes, në një kafeteri.

LDK-VV në Shtime, në kafe “rasti”

Pas zgjedhjeve të 17 tetorit asnjë kandidat për kryetar komune në këtë qytet nuk arrit itë marrë votat e duhura për të qeverisur me qytetin, kështu që procesi zgjedhor në Shtime do të zhvillohet edhe në një raund.

Në balotazh, do të shkojë Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Qemajl Aliu të cilët morrën 45,10% të votave dhe PDK, Naim Ismaili i cili morri 44,64% të votave.

Lidhja Demokratike e cila doli e treta në Shtime, nuk e përjashton mundësinë e një koalicion parazgjedhor, për zgjedhjet 14 nëntorit.

“Realisht ka mundësi të bëhet një koalicion me Lëvizjen vetëvendosje por kjo varet nga negociatat që do të zhvillohen me VV-në dhe në koordinim të plotë me qendrën”, ka thënë Emini për Albanian Post.

Emini ka theksuar se deri tani nuk e kanë shqyrtuar asnjë mundësi për të bashkëpunuar me partinë e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, me PDK-në.

“Me PDK nuk e kemi në plan që të diskutojmë fare”.

Qyteti i Shtimes deri tani ishte nën udhëheqjen e Naim Ismailit, i cili përfaqëson Partinë Demokratike të Kosovës, në nivelin lokal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore