Kosova

LDK akuzon VV-në për punësime partiake


Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të ndalë punësimet partiake nëpër institucionet shtetërore dhe ta ndalojë gjuhën kërcënuese.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, për mediat ka thënë se janë duke e përcjellë me shqetësim shtrirjen e nepotizmit në institucionet e Kosovës.

“Respektivisht, shndërrimin e institucioneve tona në strehë të punësimit për familjarët dhe të afërmit e partisë në pushtet”, ka deklaruar ajo.

Më tej, Halimi ka kërkuar që “një trend si ky të ndërpritet sa më shpejt që është e mundur”.

“Në të kundërtën”, ka theksuar zëdhënësja e LDK-së, “një qasje e tillë bën shkelje flagrante të të drejtave, humbjen e shanseve të barabarta në punësim, sidomos edhe kur merret parasysh edhe konteksti ynë shoqëror dhe numri i lartë i të papunëve në vend”.

Halimi ka bërë me dije se LDK është duke e përcjellë me vëmendje edhe gjuhën kërcënuese nga përfaqësuesit e shtetit, karshi institucioneve të pavarura, dhe tendencën për t’i kontrolluar ato nëpërmjet përkrahësve të tyre.

Gjatë konferencës për mediat, ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne ende nuk e dimë se cilat janë temat që do të diskutohen në dialog. Shpresojmë që, gjatë seancës, do t’i prezantojë pikat kryesore të dialogut Kosovë- Serbi”.

Më tej, ajo tha se tanimë është bërë praktikë e qeverisjes Kurti që “të bëjë ikje në të kaluarën”.

“Të gjitha marrëveshjet që e kanë marrë orientimin e vet, rikthimi në ato marrëveshje është për t’i ikur përgjegjësisë. Qeveria Kurti duhet që marrëveshjet e kaluara t’i vlerësojë se në cilin nivel kanë arritur”, ka deklaruar Halimi.

Ndërsa, anëtari i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për punësimet e familjareve dhe aktivistëve.

“Lëvizja Vetëvendosje ka filluar t’u ofrojë strehë familjarëve dhe aktivistëve dhe përkrahësve në pozitat më të rëndësishme shtetërore. LDK, duke e përcjellë me shqetësim shtrirjen e kësaj dukurie, kërkon që një trend si ky të ndërpritet sa më shpejt që është e mundur në të kundërtën. Një qasje e tillë përbën shkelje flagrante të drejtave të njeriut. LDK vlerëson se këto emërime po bëhen me qëllim të kapjes së institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, aq më keq është mënyra se si po tentohen të arsyetohen këto punësime familjare, duke shpërfaqur kështu arrogancën e numrave të mazhorancës”, u shpreh ai.

Manaj ka përmendur edhe rastin e fundit të punësimit në Telekomin e Kosovës.

“Një rast i fundit eklatant ishte ai i intevistimit të Komisionerit për Informim dhe privatësi nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje me poentim maksimal edhe përkundër faktit që i njëjti nuk kishte arritur poenat për të kaluar nga britanikët. Po ashtu, në vazhdën e këtyre emërimeve, ishte edhe emërimi i aktivistit të VV-së në pozita udhëheqëse në zyrat e financave dhe thesarit në Post Telekom”, ka ai.

Sipas tij, ministrat e deputetë kanë filluar një fushatë kundër personave të emëruar nëpër institucione.

“LDK vlerëson se ministra e deputetë të partisë në pushtet kanë filluar një fushatë kundër personave të emëruar në institucionet e pavarura, kjo qasje e tillë rrezikon dukshëm pavarësinë e institucioneve të pavarura të cilat janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë. I bëjmë thirrje kryeministrit dhe partisë në pushtet që të ndalë këtë fushatë sepse qytetarët nuk e kanë votuar për të degraduar institucionet e pavarura. Vetë ministrja e Drejtësisë tenton të frikësojë prokurorin në seancë gjyqësore, pastaj me qasjen e saj ndërhyn hapur në punën e prokurorisë dhe gjykatave”, tha ai gjatë konferencës për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore