Kosova

Largohen të gjitha barrikadat në veri të Kosovës


Ura te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës, në Mitrovicën e Veriut

Të gjitha barrikadat e vendosura në pjesën veriore të Kosovës janë larguar pasditen e 3 janarit ndërsa largimi i tyre u mundësua nga Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, sëbashku me misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe Policia e Kosovës.

Kështu ka raportuar Radio Evropa e Lirë, teksa ka shpërndarë edhe disa pamje nga terreni ku shihet ura e hapur për qarkullim, pas largimit të barrikadave të mbetura, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicën e Veriut.

KFOR-i mëngjesin e së martës përmes një njoftimi në Facebook, bëri të ditur se është duke kryer disa operacione, të cilat i ka përshkruar si  “inxhinierike” në veri të Kosovës.

“Misioni i KFOR-it po kryen operacione inxhinierike në veri të Kosovës për të hequr disa automjete të bllokuara në rrugë dhe për të rikthyer lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhej në njoftim.

Pas 20 ditësh disa serbët lokalë kishin filluar t’i largojnë barrikadat të cilat i kishin vendosur në shenjë pakënaqësie pasi Policia e Kosovës e kishte arrestuar ish-policin Dejan Pantiç, i cili dyshohej për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Megjithatë, lirimi i Pantiç-t dhe dërgimi i tij në arrest shtëpiak si masë e zbutur nga ajo e paraburgimit, ishte edhe ngjarja, e cila i parapriu vendimit të Aleksandër Vuçiçit-it për të larguar barrikadat.

Në tërësi, raportohej se ishin 16 barrikada, ku për mbi 20 ditë ato bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Forca patrulluese në veri për 20 ditë kishte qenë KFOR-i, derisa Policia e Kosovës nuk ka pasur mundësi të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në veri për 14 ditë, derisa KFOR-i dhe EULEX-i ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes brenda 17 ditëve, 13 punëtorë të medias ishin sulmuar në veri, në mesin e tyre gazetarë/e, fotoreporterë, kameramanë e shoferë.

Ndryshe disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur më 29 dhjetor.

Vendosja e barrikadave në veri, kishte bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore