Boterori 2022

Laporte: Nuk mendojmë për ndeshje tjera, do të fokusohemi te suksesi ndaj Japonisë


Spanja do të ballafaqohet me Japoninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës.

Spanjollët tashmë e kanë siguruar kualifikimin në fazën tjetër edhe po të humbasin nga Japonia, mirëpo do të rrezikohej vendi i parë në grup.

Gjithashtu në dorën e tyre është edhe fati i Gjermanisë, pasi që në rast të fitores së japonezëve, atëherë suksesi eventual i gjermanëve ndaj Kosta Rikës nuk do të vlente.

Pra, Spanja aktualisht është lider i grupit me katër pikë, tre ka Japonia në vendin e dytë, aq sa ka edhe Kosta Rika e treta, ndërsa Gjermania mbyll podiumin me vetëm një pikë.

Një kombinim që do të rrezikonte ndjeshëm situatën e Gjermanisë që i duhet patjetër të fitojë me Kosta Rikën, por nuk ka asgjë të sigurt nëse triumfon Japonia.

Së fundmi, mbrojtësi i Spanjës, Aymeric Laporte, thekson se nuk ka shanse që kombëtarja e tij të tolerojë ndaj japonezëve ndërsa shtoi se ai as nuk e mendon kundërshtarin në turin pasardhës.

“Nuk do të futemi në fushë për të bërë lojëra, apo kalkulime për ndeshjet e radhës. Askush nuk i ka gjashtë pikë në llogari dhe si rrjedhojë asnjë nuk e ka kualifikimin e sigurt”, theksoi fillimisht Laporte.

“Nuk më pëlqen aspak që njerëzit flasin për gjëra të tilla apo llogari për të dalë në vendin e dytë. Unë as nuk e di kundërshtarin e radhës në 1/8-tat”, u shpreh Laporte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore