Përballje

Lakers gjejnë fitoren pas shumë humbjeve, Nuggets e Pelicans fitojnë në fund


Ndeshjet e NBA ishin shumë interesante dhe të zjarrta.

Houston Rockets – Los Angeles Lakers

Dueli mes Houston Rockets dhe Los Angeles Lakers përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 123:132.

Pas pesë humbjeve radhazi, Lakers gjetën fitoren përballë një nga ekipeve me formën më të keqe në lig.

Ndeshja ishte e baraspeshuar, dhe në çerekun e katërt, fituesi nuk dihej, sepse rezultati ishte i ngushtë, por Lakers nuk ishin të humbnin edhe këtë ndeshje.

LeBron James e Russell Westbrook kishin performanca të paharrueshme, ku të dy arritën dyshifrorë të trefishtë.

LeBron përfundoi ndeshjen me 32 pikë, 11 kërcime e 11 asistime, ndërsa Westbrook me 24 pikë, 12 kërcime e 10 asistime.

Të tjerë që kontribuuan në fitoren e Lakers, ishin Malik Monk me 25 pikë dhe Carmelo Anthony me 24.

Më të mirët te Rockets ishin Jalen Green me 24 pikë, Kevin Porter Jr me 22 dhe Christian Wood me po aq pikë sa Porter.

New Orleans Pelicans – Cleveland Cavaliers

Ndeshja mes New Orleans Pelicans dhe Cleveland Cavaliers përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 108:104.

Pjesa e parë ishte plotësisht e dominuar nga Cavaliers, ku në një moment arritën epërsinë e më shumë prej më shumë se 20 pikëve.

Te Pelicans po mungonin, Brandon Ingram dhe Zion Williamson, por për fitoren e skuadrës u përkujdesën Herbert Jones e Garett Temple.

Deri në çerekun e katërt, Cavaliers dominuan Pelicans, por në shtatë minutat e fundit me mbrojtje dhe sulm efektiv, arritën të kthejnë epërsinë në anën e tyre.

Më të mirët në anët e Pelicans ishin Herbet Jones me 26 pikë e 7 kërcime, Garett Temple me 17 pikë dhe Jonas Valanciunas me 15 pikë e 10 kërcime.

Ndërsa te Cavs, më të dalluarit ishin Ricky Rubio me 27 pikë, 13 kërcime e 9 asistime, Kevin Love me 24 pikë dhe Evan Mobley me 22.

Golden State Warriors – Denver Nuggets

Dueli tjetër mes Golden State Warriors dhe Denver Nuggets përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 86:89.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e dominuar nga Nuggets, të cilët arritën një epërsi prej 24 pikësh përballë GSW.

Në pjesën e dytë, Warriors nuk morën veten deri në minutat e fundit të çerekut të tretë.

Curry nuk ishte në formën e tij më të mirë, deri në çerekun e tretë, ku shënoi tre pikëshin e tij të parë të ndeshjes.

GSW kishin një mundësi për të barazuar rezultatin në posedimin e fundit, por Andre Iguodala nuk ishte as afër për ta shënuar tre pikëshin.

Më të mirët te Nuggets ishin Nikola Jokic me 22 pikë e 18 kërcime dhe Will Barton me 21 pikë,

Më të dalluarit te Warriors ishin Stephen Curry me 23 pikë dhe Andrew Wiggins me 21.

Ndeshjet e tjera të luajtura në NBA përfunduan kështu:

Orlando Magic – Milwaukee Bucks  110:127

Miami Heat – Washington Wizards 119:112

Toronto Raptors – Philadelphia 76ers 109:114

Minnesota Timberwolves – New York Knicks 88:96

Sacramento Kings – Oklahoma City Thunder 117:111

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore