Lajme

Lajçak: Më 2 maj, në takimin Kurti-Vuçiç prezantohet draft-statuti i parë i Asociacionit


Në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që do mbahet më 2 maj në Bruksel, do të jetë pjesë e agjendës edhe draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kështu ka bërë të ditur Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook.

”Me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet më 2 maj, kjo është një kohë e përgatitjeve intensive. Si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj. Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft Statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale”, ka shkruar Lajçak.

Tutje diplomati sllovak ka theksuar se pret që të dyja palët të shkojnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit.

Më 20 prill, edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e pati konfirmuar se për Asociacionin do flitet në takimin e 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiç-it.

“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, theksoi ai në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar. Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore