Lajme

Lajçak i shkon në vizitë Vuçiçit një ditë para takimit në Bruksel


Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak këtë të mërkurë do të qëndrojë në Serbi për një vizitë një ditore.

Ai do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas njoftimit të presidencës serbe, ky takim do të mbahet në orën 12:00 në Beograd, sipas medies serbe B92.

Ende nuk është bërë e ditur se cilat do të jenë temat e diskutimit mes Lajçak dhe Vuçiçit, por padyshim se në mesin e tyre do të jetë dialogu.

Derisa ky takim i dyshes është paralajmëruar që do të zhvillohet këtë të mërkurë, në të njëjtën kohë në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës , Besnik Bislimi dhe përfaqësuesi i palës serbe, Petar Petkoviç, do të takohen në kuadër të diskutimit mbi marrëveshjen për targat.

Në ndërkohë që, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të martën, në 9 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, se tani është koha për të ecur përpara dhe për të “përfunduar me sukses” procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se me nënshkrimin e Marrëveshjes, Prishtina dhe Beogradi zyrtar kanë marrë obligime të rëndësishme ndërkombëtare dhe ka theksuar se të dyja palët duhet të zbatojnë plotësisht gjithçka që është rënë dakord.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore