Shqipëria

Kuvendi shqiptar mban 1 minutë heshtje në përkujtim të masakrës në Mejë të Gjakovës


Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë mbajtur një minutë heshtje, në përkujtim të viktimave të masakrës në Mejë të Gjakovës.

Kjo është kërkuar nga deputeti demokrat, Tritan Shehu.

“Pa asnjë dyshim, në ditët në vazhdim, do të procedohet me hapat kushtetuese për dënimin edhe formal nga Kuvendi ynë i atij gjenocidi, në Kosovë dhe më gjerë në Rajon”, shkruante ky i fundit.

376 persona u vranë e masakruan nga forcat serbe në mënyrë mizore, në Mejë të Gjakovës, më 27 prill të vitit 1999.

Çfarë ndodhi në Mejë?

23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës.

Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët, duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviçit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë, kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Ata masakruan 36 djem nën moshën 18 vjeç.

Eshtrat u gjetën vetëm 15 vjet më vonë në një varr masiv, në një qendër trajnimi policor në Batajnica, Serbi.

13 viktima akoma nuk janë gjetur.

Provat e Tribunalit të Hagës tregojnë se, më shumë se 30 oficerë dhe trupa serbe “ishin të përfshirë ose dinin rreth” masakrës së Mejës dhe “nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë ose për të ndëshkuar ata që kryen krime”. Të gjithë ata janë të lirë dhe jetojnë kryesisht në Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë, që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore