Lajme

Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje për viktimat e agresionit rus në Ukrainë


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare me një minutë heshtje për viktimat e agresionit rus në Ukrainë, në njëvjetorin e nisjes së pushtimit.

Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime edhe për familjet e viktimave të aksidentit në Ferizaj, ndërsa për luftën në Ukrainë u shpreh që populli ukrainas do të jetë fitimtarë.

“Nuk kam dyshime që populli i Ukrainës, do ta fitoj këtë luftë të drejtë”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu tha se ishte vetëm Serbia ajo që nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë.

“Një ditë pasi lufta nisi mes Rusisë dhe Ukrainës, Kosova e bashkërenduar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi sanksione mbi Rusinë, njëjtë vepruan edhe shumë shtete të tjera demokratike që janë në kërkim të paqes, por të njëjtën nuk e bëri Serbia përkundrazi ajo u rreshtua përkrah Putinit të Rusisë si udhëlidhëse për të bartur konfliktin edhe në Ballkan”.

Sipas saj, kjo tregon edhe për qasjen e Serbisë që ka ndaj Kosovës.

“Insistimi i Serbisë në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, bllokimi i procesit negociator dhe mospranimi për të dialoguar mbi planin franko-gjerman shpërfaq hapur dëshirën e tyre për destabilizim dhe denormalizim të situatës në Kosovës”.

Përveç kësaj Serbia tha se ka vazhduar të veproj kundër Kosovës edhe në forma të tjera.

“Serbia ka vazhduar fushatën kundër Kosovës edhe përmes ambasadorëve të saj”.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç do të mbahet të hënën e 27 shkurtit.

Më 22 shkurt, Bashkimi Evropian, gjegjësisht Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme në Bruksel, ka publikuar agjendën e takimit të nivelit të lartë në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it, i cili pritet të mbahet të hënën e 27 shkurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore