Lajme

Kuvendi i Kosovës konstituohet me 22 mars


Salla e Kuvendit të Kosovës

E hëna e 22 marsit është caktuar si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

“U.d. Presidentja Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII  të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kjo seancë pritet të mbahet në orën 10:00.

Paraprakisht, të martën në orën 9:00 do të mblidhet Kryesia e vjetër e Kuvendit për të bërë përgatitjet për seancën konstituive.

Mbledhja është thirrur dhe do të drejtohet nga ish kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, e cila tani është u.d Presidente e Kosovës.

Gjatë ditës së hënë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë takuar kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të mbahet të premten.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 13 mars ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit fituese ka dalë Lëvizjen Vetëvendosja me 50.28 % të votave. E dyta renditet PDK-ja me 17 %. LDK-ja me 12.73 % renditet partia e tretë. AAK-ja fitoi 7.12%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore