Lajme

KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve- LVV merr 50.28% të votave


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se KQZ-ja ka arritur të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve.

“Edhe pse puna e KQZ-së në këtë proces zgjedhor është shoqëruar me sfida të shumta, duke filluar me kohën e shkurtër në dispozicion për të organizuar zgjedhjet, por edhe me problematika që në të shumtën e rasteve padrejtësisht i faturohen KQZ-së, mund të them se KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Daka.

Ajo ka kërkuar nga deputetët e legjislaturës së ardhshme dhe subjekteve politike që t’i japin rrugën e duhur reformës zgjedhore.

“KQZ-ja është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë”, ka shtuar Daka.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit fituese ka dalë Lëvizjen Vetëvendosja me 50.28 % të votave. E dyta renditet PDK-ja me 17 %. LDK-ja me 12.73 % renditet partia e tretë. AAK-ja fitoi 7.12%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48,87%, apo mbi 800 mijë votues. Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Certifikimi i rezultateve pason trajtimin e ankesave të kandidatëve për deputetë dhe subjekte politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.

Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.

Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara.

Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore