Shqipëria

Kuvendi i Berishës shkarkoi Alibeajn, po çfarë përcakton Rregullorja?


Ndonëse Kuvendi i thirrur sot më 30 prill nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, shkarkoi nga detyra kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, dhe njoftoi se anëtarët e Këshillit Kombëtar do të votojnë për kreun e ri, Rregullorja e Kuvendit parashikon diçka tjetër.

Në nenin 16 të rregullores së Kuvendit përcaktohet se janë deputetët ata që zgjedhin kryesinë e grupit, ku bën pjesë dhe kryetari dhe jo anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Por, pavarësisht se në statutit e Komisionit të Rithemelimit thuhet se kryetari mund të zgjidhet nga Këshilli, tjetër gjë thotë rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë.

“Çdo grup parlamentar, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh kryesinë e tij. Kryesia e grupit përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari, sekretari dhe/ose zëdhënësi. Në mungesë të kryetarit të grupit, ai përfaqësohet nga zëvendëskryetari. Për zgjedhjen e kryesisë, si dhe për çdo ndryshim të mëvonshëm të përbërjes së grupeve parlamentare ose kryesive të tyre, vihet në dijeni Kryetari i Kuvendit”, shkruhet në Rregulloren e Kuvendit.

Sipas këtij të fundit, grupi Parlamentar nuk është institucion partiak por institucion i Kuvendit.

Në këtë mënyrë, përcaktohet se janë deputetët ata që zgjedhin Kryesinë e grupit ku bën pjesë kryetari.

Këshilli Kombëtar

Sa i përket Këshillit Kombëtar, sipas ndryshimeve statutore, do të përbëhet nga 150 anëtarë dhe kryetari i PD-së – të zgjedhur me votim të fshehtë.

Pa iu nënshtruar votimit janë anëtarë të Këshillit ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryetarët e PDSH-së, që janë anëtarë të PDSH-së në momentin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Ndërsa automatikisht zgjidhen kandidatë anëtarët në detyrë të kryesisë së Partisë, kryetarët e degëve të PDSH-së, deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH-së, kryetarët e Bashkive dhe kryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike.

Në përputhje me mundësitë e saj financiare, Partia Demokratike ndërton aparatin e saj qendror administrativ, i cili funksionon sipas një rregulloreje të brendshme.

Aparati qendror administrativ drejtohet nga Administratori i Përgjithshëm i Partisë, i cili emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate. Struktura e aparatit qendror administrativ përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë. Administratori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet me vendim të Kryesisë së Partisë.

Nga 1 mijë e 838 delegatë në total, në Kuvendin e kësaj dite kanë marrë pjesë 1 mijë e 425.

Këta të fundit, gjatë kësaj dite, do të zgjedhin Këshillin Kombëtar të Partisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore