Lajme

Kush po vëzhgon me kamera ilegale në Kosovë? Janë identifikuar në disa komuna


Foto: Albanian Post.

Kamerat ilegale më 4 maj të konfiskuara në komunën e Shtërpcës nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, nuk ishin të vetmet.

Kamera të ngjashme para disa muajve ishin identifikuar edhe në katër komunat veriore të Kosovës, ato kanë qenë të vendosura në shtylla të ndryshme.

Vendosja e tyre akoma nuk dihet për çfarë qëllime bëhet, e as nuk dihet nga kush vendoseshin, por përgjegjës për hetimet në këto raste është Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).

Albanian Post ka kërkuar sqarime nga kjo Agjenci rreth këtyre kamerave. Përmes një përgjigje me shkrim është thënë se që nga viti i kaluar janë zhvilluar inspektime lidhur me këto sisteme vëzhguese.

Por, që akoma nuk është arritur që “të identifikohet kontrolluesi i kamerave”.

Hetimet kanë filluar të bëhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë, nga AIP thonë se pas përfundimit do të dalin me një “raport konkret”.

“Agjencia bazuar në autorizimet dhe kompetencat e dhëna në Ligjin për Mbrojtjen e te Dhënave Personale, në zbatim të planit inspektues, vitin e kaluar që ka zhvilluar inspektime në lidhje me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë dhe ka vërejtur se në disa komuna ka sistem të vëzhgimit të cilave nuk i dihet kontrolluesi”.

Kamerat ilegale në Shtërpcë.

“Ndër to edhe kamera të vendosura në hapësirën publike në Komunën përkatësisht territorin e Komunës së Shtërpcës. Lidhur me ketë pas analizimit të të gjitha rrethanave objektive, ne kemi zhvilluar inspektim në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë. Pas analizimit të të gjitha të gjeturave do të dalim me raport/ vendim konkret”, është thënë nga AIP për Albanian Post.

Tutje nga AP-ja është kërkuar përgjigje se a ka të paktën ndonjë person i cili dyshohet që ka vendosur këto kamera ilegale.

Nga agjencia thonë se, “në disa komuna vëzhgimi me kamerë është bëre nga organet komunale, ku pas inspektimeve ne përmes vendimeve kemi kërkuar nga këto komuna që vëzhgimin me kamere t’ia kalojnë Policisë së Kosovës, bazuar në kompetencat që burojnë nga Ligji për Policinë”.

Po ashtu, është theksuar se për këtë çështje do të merren masa të përcaktuara në ligj ashtu siç e kërkojnë edhe kriteret në rast se vendosen kamera në mënyrë ilegale në hapësira publike.

Lidhur me hetimet Albanian Post ka kërkuar sqarim edhe nga Policia e Kosovës, por që nga të njëjtit është thënë se, “përgjigja lidhur me këtë çështje është në kompetenca të Agjencisë për Informim dhe Privatësi”.

Sa është shqetësuese vendosja e kamerave ilegale në hapësira publike?

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vendosja e këtyre kamerave është “shumë shqetësuese”.

Prandaj, sipas tij institucionet duhet të angazhohen edhe më shumë deri në zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.

Përveç kamerave, ai thotë se persona të caktuar që vendosin vëzhgues në këtë formë mund të kenë qëllime të ndryshme, e që “mund të jenë edhe të rrezikshme”.

“Kamerat ilegale që janë duke vazhduar të jenë është një shqetësim i madh, ato po monitorohen nga persona që mund të kenë qëllime të caktuara për të marrë informacione policore apo ushtarake të KFOR-it”.

Kamerat ilegale të vendosura në komunat veriore.

Ibishi, sqaron edhe rregullat se si duhet të jetë e vendosur një kamerë në hapësira publike.

“Për gjithçka që monitorohet duhet të jetë kompania e autorizuar dhe të ketë autorizime të veçanta. Në kamera duhet të ketë edhe mbishkrime të caktuara për qëllime të cilat është caktuar për monitorim një vëzhgues apo më shumë në hapësirë publike”, thotë Ibishi për Albanian Post.

Ai kërkon nga Policia që të veprojnë në atë mënyrë që fajtorët të sillen para drejtësisë.

“Policia në këto raste duhet të veproj në mënyrë që kryesuesit t’i sjellë para drejtësisë. Kjo deri tani nuk është identifikuar, pasi ka qenë në një masë të madhe rastet kur kamerat janë vendosur dhe nuk është ditur se kush po i vendos”.

Në Kosovë, vendosja e sistemit të vëzhgimit me kamerë duhet të bëhet sipas kritereve ligjore të cilat janë përcaktuar në ligj.

Që do të thotë që çdo përpunim i të dhënave, në këtë rast çdo regjistrim, në kundërshtim me kriteret ligjore konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore.

Sipas AIP-së, hapësirat publike mund të vëzhgohen vetëm për nevoja të policisë.

Edhe në vitin 2021, ishte raportuar se Serbia, përmes institucioneve të cilat i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes të kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore