Lajme

Largohen kamerat ilegale në Shtërpcë


Ilustrim

Agjencia për Informim dhe Privatësi përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se janë konfiskuar kamerat ilegale në Komunën e Shtërpcës.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi pas inspektimeve të bëra sipas planit të inspektimeve, në koordinim me Prokurorinë dhe Policinë e Republikës së Kosovës, ka larguar dhe konfiskuar sot kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në kundërshtim me kriteret ligjore në hapësirat publike të Komunës së Shtërpcës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, aty thuhet se kjo agjenci si përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës, “agjencia trajton të gjitha shkeljet e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me qëllim të sigurimit të privatësisë së qytetarëve në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi”.

Ndryshe, me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës në korrik të vitit të kaluar kishte kryer një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës.

Në atë kohë, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kishin deklaruar se janë bastisur disa lokacione dhe janë sekuestruar edhe disa kamera, pajisje e dokumente të strukturave ilegale serbe.

Këto kamera dyshohej se monitoroheshin nga një shkollë, nga një televizion lokal, si dhe nga një vend afër postës së qytetit. Nga Prokuroria thuhej se pamjet e regjistruara ishin përcjellur deri te strukturat e sigurisë në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore