Lajme

Kusari-Lila: Pagesa prej 170 eurosh nuk është e dinjitetshme për veteranin, do të ketë trajtim përmbajtjesor


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se pensioni prej 170 euro për veteranët nuk është i dinjitetshëm, por që sipas saj projektligji për pagën minimale po keqinterpretohet qëllimisht nga opozita.

“Pagesa prej 170 eurosh nuk është e dinjitetshme për veteranin, apo këdo në Kosovë. Kjo është arsyeja që të ketë një trajtim përmbajtjesor, të përgjithshëm dhe natyrisht duke përfshirë edhe kategorizimet e mirëfillta, në mënyrë që t’i kthehet dinjiteti veteranëve”.

“Por në formën dhe mënyrën si u prezantua në opinionin publik, në veçanti nga përfaqësuesit e partive opozitare, është tërësisht një keqinterpretim mbi atë çka u synua të votohet”, thotë Kusari-Lila për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ajo ka bërë të ditur se protesta e veteraneve të UÇK-së ishte formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë.

Protesta e Organizatës së Veteranëve të Lutës

“Por një element që është abuzuar në mënyrën si është informuar, Projektligji për pagën minimale dhe ndërlidhja me një pagesë që bënë pjesë në skemën pensionale, siç është pensioni i veteranëve. Më 29 dhjetor të vitit 2016 është ndarë paga minimale me pensionin e veteranëve”, thotë ajo.

Ndër të tjera, pohon se Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale midis dy leximeve ka mundësi trajtohet.

“Gjithmonë është praktikë e Kuvendit që në momentin prej Qeverisë, Projektligji i dorëzohet Kuvendit, midis dy leximeve ka mundësi të trajtimit. Megjithatë, nuk kishte as hapësirë dhe nevojë se si u prezantua që të ketë debat më tutje dhe të trajtohet. Në rrethanat e tilla pamundësohet diskutimi dhe trajtimi i çështjeve në mënyrë thelbësore, siç e meriton edhe skema pensionale dhe reforma e mëtutjeshëm”, shton Kusari-Lila.

Për shkak të mungesës së kuorumit, projektligji për pagën minimale ka dështuar të miratohet të hënën në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, gjatë seancës plenare, veteranët e luftës protestuan para objektit të legjislativit për të kundërshtuar largimin e tyre nga rritja e pagës minimale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore