Lajme

Kurti thotë se raportet me SHBA-të nuk janë si me “nipin e gjyshin”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve në konferencë për media është pyetur për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat i konsideron se vazhdojnë të jenë tejet të mira.

Ndërsa, theksoi se për të gjitha vendimet që marrin janë në dijeni edhe Bashkimi Evropian (BE) por edhe ShBA-të.

“A do ta dëgjoni Amerikën a po prishemi me Amerikën a po kupton. Nuk ndodhin këto gjëra, e kuptoni nuk kemi ne kështu raporte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç i përshkruani ju sikurse gjyshi me nipin. Unë nuk e di kush po jua lexon sepse s’besoj që po i lexoni vetë e po mendoni kështu”.

“Edhe një herë asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian. Na jena në kontakt të vazhdueshëm me ta”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit, mënyra se si është duke u raportuar që ka Kosova marrëdhëniet me SHBA-të është ofendim edhe për këtë shtet.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë asi komunikatash çfarë i cituat ju, pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë për besë kjo mënyrë është edhe ofendim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kronologjia e ngjarjes

Madje Kurti, para gazetarëve sqaroi edhe kronologjinë e ngjarjes që ka sjellur deri tek një situatë e tillë në Veri.

“Qëllimi i Beogradit nuk është për të mos pranuar planin, por qëllimi i tyre është për ta maskuar refuzimin e planit dhe tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi. Ajo çfarë ne kemi thënë është se ne e kemi parë si hap në drejtimin e hapur meqenëse mocionet që përdorën në atë propozim janë vlera, për dallim nga propozimet e tjera”.

“Gjithçka ka filluar më 18 gusht pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes, unë jam i bindur që më deri me datën 18 gusht nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, kemi pasur dialog për dakordime të vogla, kemi pasur dialog për konsusione nganjëherë edhe dialog për dialog”.

Kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe pikat që kanë qenë në takim si dhe takimin që kishte zhvilluar me këshilltarët e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

“Mirëpo, më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale dhe më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardhur në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltaret e lartë të Scholz dhe Macron së bashku edhe me ndërmjetësuesin Lajçak ata kanë sjellur përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë që janë bazë e mirë unë i kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre, mirëpo unë nuk e kam refuzuar”.

“Për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës ne jemi kërcënuar disa herë duke thënë se do të krijojmë trazira, unë edhe një herë bëj thirrje që ata të kthehen në institucione të Kosovës”.

Kurti për dorëheqjen e katër kryetarëve në Veri: Kanë mundur ta vazhdojnë mandatin

Për dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, Kurti u shpreh se ndjen keqardhje për zgjedhjet të cilat do të mbahen në këto komuna.

Pasi, sipas tij, kryetarët kanë pasur mundësinë të vazhdojnë mandatin e tyre.

“Më vjen keq që tash do të na duhet të mbahen zgjedhje në komunat ku po dorëhiqen kryetarët e komunitetit serbë, ata kanë mundur ta vazhdojnë mandatin e tyre, por këto dorëheqje siç i kanë dhënë qartazi që po shpien drejt zgjedhjeve në ato komuna. Por, duhet të ndiqen afatet ligjore dhe kushtetuese”.

Ai tutje ka përmendur se edhe në të kaluarën janë ballafaquar me probleme të natyrës së njëjtë.

“Ju e dini që edhe në të kaluarën ka pasur raste kur kryetarë të komunave kanë dhënë dorëheqje, e më pas ato komuna kanë shkuar në zgjedhje. Nuk ka pasur nevojë që të kemi zgjedhje, por çfarë të bëjmë nuk ishte në dorën tonë. Ajo dorëheqja është dorëheqje e atij që jep dorëheqje”, deklaroi kryeministri.

Kurti për situatën në Veri: Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që Serbia ia ka bërë propozimit franko-gjerman

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore