Lajme

Kurti për situatën në Veri: Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që Serbia ia ka bërë propozimit franko-gjerman


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se situata e fundit në Veri nuk po ndodh për shkak të targave e as për arsyet të cilat janë thënë.

Kurti, theksoi se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të refuzimit të propozimit franko-gjerman nga Serbia.

“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, as për suspendimin e Nenad Gjurçit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe presidentin despotik Putinin dhe për ata po i përdorin serbët të cilët vazhdojnë t’i dëgjojnë akoma në Republikën e Kosovës pra pjesëtaret e ndryshëm të strukturave ilegale”.

“Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarë do marrëveshje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet ilegale në veri të Vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe sigurisë në vendin tonë kjo rrugë nuk është e paqes dhe as e ndërtimit”.

Ai tutje ka thënë se përpjekjet e tilla nuk janë të suksesshme që ta dërgojnë Kosovën drejt dështimit.

“Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shteti ynë është I fortë i cili ka rritje ekonomike dhe shoqërore në çdo fushë e në çdo aspekt”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media.

“Pasqyrimi mediatik i incidenteve të ndryshme si incidente ndëretnike është bërë përmes deklarimet e krerëve shtetërore të Serbisë duke provuar të keqpërdorin, të shtrembojnë të dhënat e evidentuara në Policinë e Kosovës duke u dhënë atyre ngjyrim ndëretnik”.

Serbët në Kosovë, Kurti i konsideron të rrezikuar nga Beogradi.

Sipas tij, kjo është dëshmuar edhe përmes djegies se veturave e shtëpive.

“Serbia e ka vazhduar presionin që serbët në Kosovë të paraqiten si të rrezikuar e të kërcënuar dhe kjo me qëllim që të propagandohet që komuniteti serb është cak i sulmeve të vazhdueshme dhe sa ata nuk na paskan siguri. Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi i cili jua djeg veturat dhe shtëpitë. Asnjë serbë nuk beson se djegëja e veturës ka ndodhur nga shqiptarët”.

Kronologjia e ngjarjes

Madje Kurti, para gazetarëve sqaroi edhe kronologjinë e ngjarjes që ka sjellur deri tek një situatë e tillë.

“Qëllimi i Beogradit nuk është për të mos pranuar planin, por qëllimi i tyre është për ta maskuar refuzimin e planit dhe tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi. Ajo çfarë ne kemi thënë është se ne e kemi parë si hap në drejtimin e hapur meqenëse mocionet që përdorën në atë propozim janë vlera, për dallim nga propozimet e tjera”.

“Gjithçka ka filluar më 18 gusht pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes, unë jam i bindur që më deri me datën 18 gusht nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, kemi pasur dialog për dakordime të vogla, kemi pasur dialog për konsusione nganjëherë edhe dialog për dialog”.

Foto nga Albanian Post: Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner

Kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe pikat që kanë qenë në takim si dhe takimin që kishte zhvilluar me këshilltarët e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

“Mirëpo, më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale dhe më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardhur në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltaret e lartë të Scholz dhe Macron së bashku edhe me ndërmjetësuesin Lajçak ata kanë sjellur përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë që janë bazë e mirë unë i kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre, mirëpo unë nuk e kam refuzuar”.

“Për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës ne jemi kërcënuar disa herë duke thënë se do të krijojmë trazira, unë edhe një herë bëj thirrje që ata të kthehen në institucione të Kosovës”.

Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve u pyet edhe për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të, ai pohoi se raportet me SHBA-të, vazhdojnë te jenë të mira.

Ndërsa theksoi se për të gjitha vendimet që marrin janë në dijeni edhe Bashkimi Evropian (BE) por edhe ShBA-të.

“A do ta dëgjoni Amerikën a po prishemi me Amerikën a po kupton. Nuk ndodhin këto gjëra, e kuptoni nuk kemi na kështu raporte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç i përshkruani ju sikurse gjyshi me nipin. Unë nuk e di kush po jua lexon sepse s’besoj që po i lexoni vetë e po mendoni kështu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Edhe një herë asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian. Na jena në kontakt të vazhdueshëm me ta”.

Sipas kryeministrit, mënyra se si është duke u raportuar që ka Kosova marrëdhëniet me SHBA-të është ofendim edhe për këtë shtet.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë asi komunikatash çfarë i cituat ju, pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë për besë kjo mënyrë është edhe ofendim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kurti për dorëheqjen e katër kryetarëve në Veri: Kanë mundur ta vazhdojnë mandatin

Për dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, Kurti u shpreh se ndjen keqardhje për zgjedhjet të cilat do të mbahen në këto komuna.

Pasi, sipas tij, kryetarët kanë pasur mundësinë të vazhdojnë mandatin e tyre.

“Më vjen keq që tash do të na duhet të mbahen zgjedhje në komunat ku po dorëhiqen kryetarët e komunitetit serbë, ata kanë mundur ta vazhdojnë mandatin e tyre, por këto dorëheqje siç i kanë dhënë qartazi që po shpien drejt zgjedhjeve në ato komuna. Por, duhet të ndiqen afatet ligjore dhe kushtetuese”.

Ai tutje ka përmendur se edhe në të kaluarën janë ballafaquar me probleme të natyrës së njëjtë.

“Ju e dini që edhe në të kaluarën ka pasur raste kur kryetarë të komunave kanë dhënë dorëheqje, e më pas ato komuna kanë shkuar në zgjedhje. Nuk ka pasur nevojë që të kemi zgjedhje, por çfarë të bëjmë nuk ishte në dorën tonë. Ajo dorëheqja është dorëheqje e atij që jep dorëheqje”, deklaroi kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore