Kosova

Pas tentimit të dytë Komisioni Hetimor për subvencionimin e teksteve dhe mjeteve shkollore konstituohet


Foto: Albanian Post.

Pas tentimit të dytë të premten është konstituar Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, deklaroi se qëllimi parësor i këtij komisioni është të shikohen procedurat se si ka shkuar procesi i subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.

“Ky komision veprimtarinë e ka të aprovuar në ligjin për hetim parlamentar. Qëllimi tij është të shohim si ka shkuar ky proces, a ka lëshime apo ka qenë çdo gjë në rregull. Kanë qenë informatat në opinion për dështimin me kohë të teksteve shkollore, rreth kostove dhe mënyrës së blerjeve, shpërndarjes, ka qenë një opinion me dëmtimin e buxhetit të shtetit gjatë këtij procesi”, ka thënë ai.

Ndërsa, nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arjeta Fejza, u kërkua që javën tjetër deputetët e këtij komisioni të vijnë me propozime.

“Ky takim do duhej të na ndihmonte edhe me mbajtjen e mbledhjes së këtij komisioni hetimor që mos të na pengojë në mbajtjen e mbledhjeve tjera. Javën tjetër mund të vijmë me propozime”, tha ajo.

Ndërsa, nga deputeti i partisë në pushtet, Armend Muja, u kërkua që mbledhjet e komisionit të mbahen kur s’ka mbledhje të Kuvendit.

“Kemi pas kohë një javë, secili të reflektojmë të cilësohen dyshimet, hipotezat të jenë të qarta për komisionin për administratën. Duhet t’i përkushtohemi këtij konstituimi, me mirësjellje të gjejmë ato mbledhje kur nuk ka mbledhje kuvendi”, tha ai.

Një tentim për ta konstituar këtë komision deputetët e patën edhe me 18 prill. 

Ministria e Arsimit në vitin 2024 dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci, e cila drejton dikasterin në fjalë kishte uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore