Lajme

Kurti thirrje diasporës për zgjedhjet lokale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje diasporës përmes një video që të regjistrohen për votim.

Këtë Kurti, e ka bërë përmes një postimi në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Ai ka thënë se mërgata ka qenë gjithmonë forcë e ndryshimeve politike dhe garantuese e mbijetesës sociale të vendit tonë.

“Njëjtë ndodhi edhe sivjet, më 14 shkurt ju ishit forca që vulosi referendumin, teksa në verën ku jemi ju ringjallët ekonominë që e lodhi pandemia COVID-19”, tha Kurti.

Ai e përshkruan zgjedhjet lokale si një moment jetik.

“Tash jo vetëm për vendin e shtetin, por për qytetin, fshatin e lagjen tonë, jemi para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, të cilat do ta përmbyllin ciklin e ndryshimeve rrënjësore në Kosovën tonë”.

Kurti, gjatë kësaj video tha se nuk preferohet ndryshimi i ligjit për zgjedhje.

“Edhe në këto zgjedhje na presin të njëjtat procedura të votimit si në të kaluarën, me synimin që kjo të jetë hera e fundit e mënyrës së vështirë për votim nga jashtë, prandaj është me rëndësi t’i përmbahemi afateve dhe të respektojmë procedurat”.

Ndërkaq, ka cekur dy fazat e votimit.

“Faza e parë që përfshinë aplikim për regjistrim, afati deri më 18 gusht 2021 dhe faza e dytë periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës, 15 shtator deri më 15 tetor”.

Po ashtu, nga 10 korriku, ka filluar aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë vendit, për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës zgjat deri më 18 gusht, gjithsej 40 ditë në dispozicion.

Votimi bëhet përmes postës: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/ 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore