Lajme

Kurti: Të jemi më shpesh bashkë – sepse duam, sepse duhet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në Shqipëri për nder të 110 vjetorit të Pavarësisë.

Ai nga aty ka uruar ditën e 28 nëntorit, duke thënë se kjo ditë është pikënisja dhe pikëprerja e kombit, andaj duhet treguar unitet.

“Nëntori i Flamurit dhe Forcës. Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan”.

“Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kreu i ekzekutivit bëri të ditur se të dielën e 27 nëntorit është shënuar edhe dita e Forcës dhe se për Qeverinë e Kosovës ky ishte viti i ushtrisë.

“Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional”.

“Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm”.

Ndryshe, në vigjilje të festës së 28 nëntorit, të dielën e 27 nëntorit, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë mbajtur mbledhje të përbashkët.

Ishte data 28 nëntor 1443 kur heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vendosi të braktisë ushtrinë turke dhe të luftojë për çlirimin e atdheut të tij.

I lindur në Krujë dhe i biri i një udhëheqësi që u rebelua kundër Perandorisë Osmane, ai u mor me forcë nga familja, bashkë me vëllezërit e tij, kur ishte ende fëmijë.

I rritur dhe i stërvitur në ushtrinë turke, ai luftoi dhe fitoi disa beteja pavarësisht se vazhdoi të ëndërronte të kthehej në vendlindje.

Dhe kështu ishte; i shoqëruar nga 300 burra besnikë të tij, ai braktisi turqit dhe u rreshtua kundër tyre, duke rimarrë në radhë të parë Krujën dhe më pas territore të tjera në emër të Shqipërisë.

Por dominimi turk zgjati për një kohë të gjatë, derisa në vitin 1912, në të njëjtën ditë, më në fund u shpall pavarësia nga Perandoria Osmane pas fitores së luftës së parë ballkanike ku u përfshi edhe Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe Bullgaria.

Në këtë 28 nëntor, Ismail Qemal ngriti flamurin shqiptar në një ballkon në Vlorë dhe u shpall kryeministër.

Shqipëria më në fund u lirua dhe u shpall shtet i pavarur, por duke humbur një pjesë të mirë të territoreve që iu aneksuan shteteve fqinje.

28 nëntori – Dita e shqiptarisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore