Kosova

Kurti takohet me Solanën në Spanjë: I paharrueshëm për Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Spanjë ka takuar ish-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, të cilit i ka shprehur mirënjohjen për rolin në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Lajmin për takimin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për rolin e Solana-s gjatë dy momenteve përcaktuese për popullin tonë: çlirimin tonë në vitin 1999, si dhe shpalljen e pavarësisë në vitin 2008″, thuhet në komunikatë.

“Përvoja e Solana-s, si ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së është e çmueshme për Republikën e Kosovës dhe e paharrueshme për popullin e Kosovës”.

Në njoftim thuhet edhe se Solana dhe Kurti kanë biseduar edhe për gjendjen e Kosovës, ta rajonit, por edhe të Evropës përballë luftës ruse në Ukrainë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka udhëtuar drejt Spanjës ku po merr pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste, që mbahet në Madrid.

Përmes një komunikate për media, Zyra për Komunikim Publik njoftoi se Kurti do të jetë pjesëmarrës në kongresin që do të mbahet nga 25 deri më 27 nëntor dhe është organizuar nga Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE).

Internacionalja Socialiste, origjina e së cilës daton në organizatat e hershme ndërkombëtare të lëvizjes punëtore, ka ekzistuar në formën e saj aktuale që nga viti 1951, kur u rithemelua në Kongresin e Frankfurtit.

Që atëherë ajo ka qenë gjithnjë e më aktive dhe është rritur ndjeshëm në anëtarësim.

Ajo është një organizatë politike ndërkombëtare e partive politike që synojnë të vendosin socializmin demokratik dhe përbëhet kryesisht nga parti dhe organizata politike socialiste të orientuara drejt të majtës.

Partitë punëtore, socialdemokrate dhe socialiste konsiderohen si një forcë kryesore politike në demokracitë në mbarë botën.

Gjithashtu, Internacionalja Socialiste ka status konsultativ me Kombet e Bashkuara dhe punon ndërkombëtarisht me një numër të madh organizatash të tjera.

Ndryshe, para disa ditësh Kurti ishte edhe në Berlin të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë, PES Congress 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore