Lajme

Kurti takohet me shefin e OSBE-se, diskutojnë për zgjedhjet në Veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Prezencës së Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ambasadorin e Prezencës së Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport me të cilin ka biseduar për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Në takim u diskutua për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës dhe për fushat e përbashkëta të bashkëpunimit në mes të OSBE-së dhe Qeverisë së Kosovës”.

Në këtë takim kryeministri përmendi edhe rëndësinë që zgjedhjet të mbahen në datën e caktuar.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale edhe si obligim kushtetues e ligjor, por edhe si procedurë e legjitimitet demokratik për institucionet në shërbim të qytetarëve. Nevoja për funksionim normal të sistemit dhe institucioneve shtetërore e bënë të nevojshme mbajtjen e zgjedhjeve”.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore