Lajme

Kurti takohet me nënën Ferdonije: I falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili


Albin Kurti dhe Ferdonije Qerkezi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e 24-të të rrëmbimit të 11 burrave të Gjakovës ka vizituar shtëpinë e familjes Qerkezi ku është pritur nga nëna Ferdonije Qerkezi.

Gjatë këtij takimi kryeministri e ka falënderuar atë për qëndrueshmërinë dhe guximin që po i jep mbarë popullit të Kosovës.

‘’E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, tha kryeministri.

Po ashtu, gjatë vizitës së tij kryeministri ka shkruar edhe në librin e kujtimeve.

“Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë ne, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë”.

“24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur tek ne të gjithë. E duam si nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili”.

Albin Kurti dhe Ferdonije Qerkezi

Teksa ka theksuar edhe rëndësinë e hapjes së arkivave nga Serbia.

“Serbia duhet të jetë e hapur për sa më shumë hulumtim dhe hapje të varrezave masive. Fakti që në varrezat masive të zbuluara në Serbi nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore, është dëshmi që Serbia nuk do që të zbulohet e vërteta”.

Gjithashtu, në këtë vizitë bashkë me kryeministrin ishte edhe kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur Andin Hoti, ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe deputetja Mimoza Kusari.

Nëna Ferdonije e falënderoi kryeministrin për vizitën në shtëpi.

Dhoma origjinale e ndejës së shtëpisë Qerkezi ishte lëvizur në Muzeun Etnologjik të Kosovës dhe ka pritur mysafirë nga 8 marsi deri më 22 mars.

Burri dhe katër djemtë e Ferdonijes ishin rrëmbyer me dhunë nga forcat serbe në vitin 1999.

Eshtrat e dy djemve janë gjetur në vitin 2005, ndërsa eshtrat e burrit dhe dy djemve të tjerë nuk janë gjetur ende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore