Kosova

Kurti takohet me MPJ të Britanisë së Madhe: Flasin për situatën në Veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe sekretari për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij dy ditore në Britaninë e Madhe është takuar me sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale në katër komunat në Veri të Kosovës.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se Kurti e ka njoftuar sekretarin për propozimin e tij që situata të shtensionohet.

“Sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer”, thuhet në komunikatë.

Tutje, kryeministri ka falënderuar Cleverly-n për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mundësitë që u ofohen për të “forcuar e thelluar” marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e sekretarit Cleverly, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha etapat e shtetformimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit”.

“Në takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen”.

Ky është takimi i dytë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me sekretarin Cleverly.

Takimi i parë ishte mbajtur në tetor të vitit 2022, po ashtu në Mbretëri të Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore