Lajme

Kurti takohet me MPJ të Britanisë së Madhe: Flasin për raportet me Serbinë


Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikën e Veriut, James Cleverly dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikën e Veriut, James Cleverly është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Cleverly e ka bërë të ditur këtë përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ ku ka thënë se temë diskutimi kanë pasur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot kam takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti përpara Samitit të Procesit të Berlinit. Ne diskutuam për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nevojën për guxim dhe kompromis për të mirën e njerëzve në të dy vendet”.

Sipas tij, “marrëdhëniet Britani-Kosovë janë të forta dhe të gjata”.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur nga Qeveria e Kosovës më 28 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur ta zbusë vendimin për targat ilegale dhe makinat që bartin ato, tash e tuje nuk do të konfiskohen, por do të qortohen e gjobitën.

Më pas Kurti ka paraparë një masë të re, ku do të përdoren targa provuese dhe kjo do të vazhdojë deri me 21 prill.

Pas 21 prillit do të vendoset që të shkohet me targa RKS.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, si vazhdimësi e Konferencave të mëparshme për Ballkanin Perëndimor.

Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së si dhe integrimi i këtij rajoni në Union.

Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore